Këshilli Evropian nuk ka ofruar datë për nisje të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përmendur si arsyetim procesin e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian dhe siç është thënë publikimin e vonshëm të Raportit të Progresit.
Komisionari për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka vlerësuar se pavarësisht mospajtueshmërisë, BE-ja është e përkushtuar për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, mirëpo ka pranuar se aktualisht disa vlera të bllokut evropian janë nën rrezik.
“Ne nuk jemi duke kërkuar që të jemi të mirë ndaj shteteve specifike, sepse ky proces është edhe në vet interesin tonë. Siç e kam thënë edhe më herët, ne ose do të eksportojmë stabilitet, ose do të importojmë jostabilitet”, është shprehur ai.
Hahn ka përmendur se ndonëse jo në qershor, një datë për nisje të bisedimeve me këto dy shtete do të dëshironte të bëhej e ditur më së voni në fund të muajit tetor, pasi sipas tij, stabiliteti në Evropë është faktor shumë i rëndësishëm për rolin e bllokut evropian në botë.
I pyetur se çfarë garanacie do të ofrojë Këshilli Evropian për Maqedoninë e Veriut se do të ketë një datë për hapje të negociatave në muajin tetor, komisioniari Hahn ka thënë se nuk mund të ofrojë një gjë të tillë.
“Nuk mund të ofroj asnjë garanci. Por, ne kemi dëgjuar me kujdes vendet tona anëtare dhe kemi shumë konsideratë për Maqedoninë e Veriut. Unë jam i bindur se ministri gjerman (Michael) Roth ka qenë i sinqertë në deklaratën e tij se parlamenti gjerman nuk ka pasur kohë të trajtojë këtë çështje”, ka thënë ai.
I pyetur për pritjet e Samitit të Paris, që është planifikuar të mbahet më 1 korrik mes zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë, Hahn ka thënë se për këtë takim duhet të flasin kolegët e tij në Paris dhe se “ndonjëherë është mirë që të ketë shpërndarje të punës edhe mes kolegëve të tjerë”.
Megjithatë, Hahn ka thënë se dëshiron që liderët e të dyja shteteve të kujtojnë se në mesin e pasojave pozitive të arritjes së një marrëveshjeje do të ishte edhe e ardhmja evropiane.
Përveç tjerash, komisionari evropian ka pranuar se duhet të ketë më shumë vendosshmëri brenda BE-së dhe se vetë ky trup duhet të punojë më shumë brenda strukturës së tij, në mënyrë që të jetë i gatshëm për të pranuar anëtarë të rinj.
Përndryshe, Këshilli Evropian ka diskutuar ditën e martë në Luksemburg çështjen e zgjerimit të bllokut evropian.
Në paketën e zgjerimit të publikuar nga Komisioni Evropian javë më parë, Kosova është kritikuar për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind në importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, derisa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë rekomandim pozitiv të hapje të bisedimeve.
Shqipërisë i është dhënë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2014 derisa Maqedonisë së Veriut më 2015.
Kësaj të fundit i ishte kushtëzuar hapja e bisedimeve me zgjidhje të kontestit të emrit me Greqinë dhe pas zgjidhjes së këtij problemi, institucionet maqedonase kanë pritur që ky rezultat të kurorëzohet me nisje të negociatave në muajin qershor.
Para nisjes së takimit, ministri i Gjermanisë për Çështje Evropian, Michael Roth, ka thënë se Bashkimi Evropian “nuk duhet të humbë besueshmërinë”, kur është fjala për bisedimet për anëtarësim.
Sipas tij, të dyja shtetet, si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, “kanë përfunduar detyrat” e caktuara nga Brukseli, duke theksuar se Maqedonia e Veriut meriton të përshëndetet për zgjidhje të kontestit të emrit me Greqinë, që ka rezultuar me Marrëveshjen e Prespës më 2018.
Para nisjes së takimit të sotëm, Këshilli Evropian ka publikuar një draft të konkluzioneve sa i përket zgjerimit.
Lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel, është thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të kontribuuar në këtë proces, duke i kërkuar Kosovës që të pezullojë taksën dhe të dyja vendet të frenohen nga ndonjë akt që mund të konsiderohet si provokim.
Sipas Këshillit, dialogu mes këtyre dy shteteve duhet të fillojë sa më shpejt që është e mundur dhe një marrëveshje ligjërisht obliguese duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, dhe t’u kontribuojë stabilitetit rajonal.
Ky dialog njëherësh është konsideruar tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.
Dialogu mes dy shteteve ka nisur më 2011. Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përmendur taksën si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.
Këshilli po ashtu ka theksuar se është në dijeni që procesi i liberalizimit të vizave është proces i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, mirëpo vendimi për të finalizuar këtë proces është ende në fazën e shqyrtimit.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të martën në një konferencë për media se procesi i liberalizimit të vizave nuk është zbehur, por është avancuar.
Ai i ka bërë këto komente pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë.
Sipas tij, konkluzionet janë duke u interpretuar gabimisht, pasi siç është shprehur ai, ato nuk janë as vendime dhe as nuk ka shtim të kritereve.
“Deri më tani nuk ka qenë duke u konsideruar marrja e vendimit nga Këshilli, është hera e parë që kemi mbërri deri te konkluzionet, pra jo që nuk është zbehur, por po afrohet dita kur do ta marrim lajmin e shumëpritur”, ka thënë ai.
Sipas tij, taksa në importet e Serbisë dhe Bosnjës, nuk ndërlidhet me liberalizimin e vizave.
“Siç e dini, Kosova i ka zbatuar të gjitha kushtet, ndërkohë që taksa nuk përmendet në klauzolën për vizat”, ka shtuar ai.
Këshilli ndjen keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënie të tarifave 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës, duke e konsideruar këtë hap si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhe shpirtit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila njëherësh është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.
Përveç tjerash, Këshilli ka thënë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë çështje që duhen adresuar nga autoritetet e Kosovës dhe se ky trup është i shqetësuar për ndikimet politike në punësime si dhe për emërimin e personave të dënuar për krime lufte në pozita zyrtare.