Në dyvjetorin e ngjarjeve të dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, më 27 prill të vitit 2017, njohësit e çështjeve juridike dhe të sigurisë, kanë ngritur shqetësimin mbi sundimin e shtetit ligjor, sigurinë si dhe konsolidimin e institucioneve, që sipas tyre ende nuk kanë arritur në nivelin e duhur për të garantuar siguri të qëndrueshme për qytetarët.
Për ndërhyrjen e dhunshme në Kuvend të një grupi të madh të protestuesve, ithtarë të partisë VMRO-DPMNE e cila atë kohë ishte në pushtet, janë dënuar 16 persona me 211 vjet burg, por aktorët kryesorë, respektivisht organizatorët ende nuk janë zbuluar dhe nxjerr para drejtësisë. Ndërkohë që nga përgjegjësia janë liruar gjashtë deputetë të VMRO- DPMNE-së, disa prej të cilëve madje i kanë hapur dyert protestuesve për të hyrë dhe sulmuar deputetët e opozitës së atëhershme socialdemokrate, të udhëhequr nga kryeministri i tanishëm, Zoran Zaev.
Është pikërisht lirimi i këtyre deputetëve që, sipas profesorit të çështjeve të sigurisë, Nikolla Dujovski ka shuar shpresat e qytetarëve për funksionimin e shtetit ligjor në vend.
“Unë mendoj se i tërë procesi ka marr një njollë të keq me amnistinë që iu bë njerëzve të cilat të gjithë ne i pamë se janë të përfshirë në ngjarjet e dhunshme, respektivisht ishin ata që i hapën protestuesve dyert e Kuvendit. Por, politika e bëri të veten, ishin në pozitë të favorshme dhe u amnistuan. Kjo nuk është hera e parë që shteti bënë një gjë të tillë. Ky është një mesazh i keq që përcillet nga i gjithë ky proces”, thotë Dujovski.
Bashkim Selmani, profesor i së Drejtës Penale në Universitetin Fon të Shkupit, thotë se pritjet e qytetarëve nga pushteti i ri ishin të mëdha, në nxjerrjen para drejtësisë të të gjitha ish-zyrtarëve të dyshuar për vepra të ndryshme gjatë qeverisjes 15-vjeçare të Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të arratisur në Hungari për t’i ikur dënimit prej 2 vjet burg për shpërdorim të detyrës, por edhe shumë procese tjera që po zhvillohen ndaj tij.
“Pritej që çdokush që bëri vepra të këqija gjatë 20 viteve duhej të sille para drejtësisë në kohën dhe vendin e duhur. Edhe në këtë rast kishte ndërhyrje politike, me çka nuk u arrit qëllimi i duhur dhe kjo shkaktoi demoralizim te qytetarët për shkak se politika ndërhyri me çështjen e faljes, kur dihet se në aspektin juridik kjo është e papranueshme, pasi nuk mund të falet askush pa u shpallur fajtor. Kjo krijoi një situatë ende më të vështirë për sa i përket funksionimit të gjyqësorit. Ky nuk është mesazh i mirë për shtetin”, thotë Selmani.
Ngjarjet e dhunshme në Kuvend, sipas profesorit Nikolla Dujovski, janë më të rëndat në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia e saj, dhe ky akt duhet të shërbente si mësim për të gjithë se institucionet nuk sulmohen, por se ato duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, megjithatë kjo vështirë se po dëshmohet nga ana e tyre.
“Mendoj se si shtet si duket nuk jemi pjekur sa duhet dhe nuk lamë hapësirë që t’i bindim qytetarët se institucionet, si Kuvendi, Qeveria, e institucione tjera nuk mund të sulmohen se këtu do të sundojë shteti ligjor, se kemi institucione të konsoliduar e kështu me radhë. Me një sistem të këtillë nuk mund të jemi të sigurt se në një të ardhme nuk do të përsëriten gjëra të këtilla. Ne pamë se ata që janë përgjegjës shpëtuan sikur të mos kishin bërë asgjë. Me qasje të këtillë nuk mund të pretendojmë në shtet ligjor dhe se do të garantojnë siguri për qytetarët”, thotë Dujovski.
Nga ana tjetër, Bashkim Selmani, ekspert juridik, thotë se për sa kohë organizatorët e sulmit mbi Kuvend ndodhen në liri, janë reale edhe gjasat për ndonjë kërcënim të ngjashëm nga ana e tyre, ndërkohë që ndalet edhe në aspektet etnike.
“Po të ishin shqiptar, jo vetëm ata që do të ishin në burg, por edhe familjarët e tyre. Në rastin konkret, mos gjykimi i veprave të rënda penale kundër shtetit, nënkupton që aktorët ende janë aktiv. Pikërisht këtu qëndron shqetësimi pasi këta aktor ende janë akti për shkak të mos dënimit të tyre. Ngjarjet e fundit janë indikacione për destabilizim të vendit”, thotë Selmani.
Për ngjarjet e 27 prillit Prokuroria Speciale po heton edhe ish-kryeparlamentarin, Trajko Veljanovski dhe dy ministra të tjetër, përfshirë edhe ish-kryeministrit e arratisur, Nikolla Gruevski, por ende pa ndonjë rezultat konkret.
Nga dhuna në Kuvend që kishte shpërthyer për shkak të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, kishin pësuar shumë deputetë, por më së rëndi, Zijadin Sela deputet i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetari i LSDM-së Zoran Zaev.