Ndërlidhjet

Amnistia "politike" për 27 prillin


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Prokuroria Publike në Maqedoni, pret që Ligji për amnisti të publikohet në Gazetën Zyrtare, që më pas të nis procedurën e zbatimit, apo që të vendos mbi kërkesat që do të parashtrojnë personat për tu falur për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill 2017.

Paraprakisht, ligji duhet të dekretohet nga presidenti, Gjorge Ivanov. Ndërkohë, miratimi i tij që ka nxitur reagime të ndryshme përjashton personat që konsiderohen si organizator apo pjesëmarrës të drejtpërdrejt në dhunën e ushtruar në Kuvend, ata që janë kapur me armë apo mjete tjera shpërthyese.

Sipas ligjit, të gjithë 33 personat që po gjykohen për dhunën në Kuvend, nën akuzën e “rrezikimit terrorist të rendit kushtetues”, duhet të paraqesin kërkesë për tu amnistuar ndërsa fjalën përfundimtare nëse kjo do të pranohet ose jo, do ta kenë prokuroria dhe gjykatësi që procedon lëndën.

I vetmi deputet që ka kundërshtuar amnistinë, është Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët që kishte pësuar më së shumti nga dhuna në Kuvend. Ai thotë se nuk mund të pajtohet me amnistinë e atyre që më 27 prill kishin tentuar ta vritnin dhe veç kësaj, Sela tha se më këtë akti ligjor, shumica parlamentare ka rrënuar shpresat e qytetarëve për vendosjen e drejtësisë në vend.

“Më 27 prill unë u vrava personalisht dhe i mbijetova sulmit. Tani po vritem për së dyti, por tani nga një numër i madh i deputetëve të cilët me votën e tyre përveç mua individualisht po vrasin edhe shpresën e qytetarëve për drejtësi dhe shtet të së drejtës”, ka deklaruar Sela pas votimit të ligjit të martën në mbrëmje me 95 vota për.

Nga Lidhja Social-Demokrate në pushtet, apo konkretisht nga kryeministri Zoran Zaev i cili edhe kishte iniciuar miratimin e një ligji të tillë por duke e quajtur si ligj për pajtim, zgjidhja ishte vlerësuar si domosdoshmëri për siç ka thënë pajtimin e popullatës së ndarë në skajshmëri.

Por, njohësit e çështjeve juridike miratimin e ligjit më së shumti e vlerësojnë si nevojë politike se sa ligj për pajtim.

“Disi kjo ishte si domosdoshmëri për faktin se kemi një moment politik të veçantë pasi të gjithë presim inkuadrimin në NATO dhe BE dhe shteti këtë e sheh si moment për të përfituar në këtë proces. Është më se e drejtë që të ketë dilema për atë se sa ky akt është i drejtë, apo sa ndërhynë në pavarësinë e gjyqësorit pasi bëhet fjalë për ngjarje të rëndë që ka ndodhur më 27 prill”, thotë Aleksandar Nakov, ekspert juridik duke shtuar se ligji nuk duhet të vlejë për autorët kryesor të dhunës së ushtruar në Kuvend, në veçanti për atë që deputetin Zijadin Sela e kishin lënë për të vdekur pas pushtimit të Kuvendit.

“Të gjithë ata që kanë ushtruar dhunë duhet të përgjigjen, sikur që duhet të përgjigjen edhe ata që kanë qenë të inspiruar apo si organizator të këtij akti të rëndë. Nëse kjo nuk ndodhë vlerësoj se do të ketë pasoja shumë të rënda mbi gjyqësorin, mbi besueshmërinë edhe ashtu të humbur tek qytetarët”, thotë Nakov.

Me ligjin e miratuar do të përfitojnë edhe gjashtë deputetë të VMRO-DPMNE-së, gjithashtu të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit pasi kishin ndihmuar, nxitur dhe orientuar protestuesit në pushtimin e Kuvendin dhe ushtrimin e dhunës.

*Video nga arkivi: Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë. 27 prill, 2017

Nismën për falje kryeministri, Zoran Zaev, e kishte iniciuar pasi shumica parlamentare nuk kishte dy të tretat e votave në Kuvend për ndryshimet kushtetuese për zbatimin e Marrëveshjes së emrit me Greqinë. Pa votat e këtyre deputetëve, marrëveshje konsiderohej e dështuar. Votën e tyre në mbështetje të marrëveshjes edhe në fazën e fundit, që duhet të votohet nga mesi i janarit i vitit të ardhshëm, ata e kishin kushtëzuar me amnistinë tashmë të miratuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG