Rreth 92 për qind e popullatës së Kosovës llogaritet se ka qasje në furnizim me ujë të pijshëm prej sistemeve qendrore që furnizohen nga shtatë kompani. Uji i pijshëm, është sipas standardeve të Bashkimit Evropian, thonë zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Megjithatë, pjesa tjetër e popullatës furnizohen me ujë alternativ, qoftë prej puseve apo burime të ngjashme. Ky ujë, vlerësohet se nuk i përmbush standardet e parapara për pije.
Si rrjedhojë, banorët që e përdorin këtë ujë, janë të rrezikuar më shumë nga infeksionet, bakteret, diarreja e të tjera.
Burbuqe Nushi, koordinatore në Qendrën e Monitorimit të Ujit në Institutin Kombëtar thotë se duhet të arrihet synimi që 99 për qind e popullatës të ketë qasje në ujë të pijshëm, në mënyrë që institucionet e Kosovës ta shohin si rezultat, çështjen e ujit të pijes.
“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është trup monitorues për ujin e pijshëm në Kosovë. Në bazë të të dhënave të autoritetit rregullator, 92 për qind e popullatës ka qasje në furnizim me ujë prej sistemeve qendrore që realizohet përmes 7 kompanive”.
“Nëse u referohemi rezultateve të monitorimit, më shumë se 99 për qind është në përputhje në aspektin mikrobiologjik, 98 për qind është me aspektin kimik, dhe në përgjithësi uji i pijshëm është 98.85 për qind, që do të thotë se qëndrojmë mirë si vend në raport me ujin. Instituti punon me direktiva të Bashkimit Evropian. Uji me të cilin furnizohemi, është brenda standardeve të parapara evropiane, megjithatë duhet arrihet 99 për qind në të tri nivelet”, thotë ajo.
Sa i përket furnizimit me ujë, Ilir Abdullahu, kryeshef i Ujësjellësit Rajonal "Prishtina", thotë se uji duhet të përdoret në mënyrë shumë racionale, dhe të mos keqpërdoret, sepse liqenet artificiale, ai i Batllavës dhe i Badovcit, janë katër metra nën nivelin e duhur.
Megjithatë, ai shpreson se muajt e ardhshëm do të ketë reshje atmosferike, ashtu siç ndodh çdo vit, në mënyrë që këto liqene të akumulojnë ujë, i cili më pas shndërrohet në ujë të pijes.
“Vendi ynë, por edhe ne si kompani, jemi duke ndërmarrë masa që resurset ujore të menaxhohen dhe të ruhen që të mos vijmë në një situatë siç ka ndodhur më herët që kemi pasur thatësi të madhe dhe si rrjedhojë mungesë uji”.
“Në këtë ditë ne bëjmë apel që uji i pijes të ruhet dhe të mos keqpërdoret, në mënyrë që rezervat të mos shkojnë drejt rënies”, thotë Abdullahu.
Ndryshe më 22 mars, shënohet Dita Botërore e Ujit. Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka bërë thirrje te të gjithë për shfrytëzim racional të ujit në vend.
“Është momenti që të gjithë ta trajtojmë ujin ashtu siç duhet, sepse nënkupton jetë dhe si vend kemi nevojë shumë të madhe që ta ruajmë sasinë e ujit, ta shfrytëzojmë në mënyrë sa më racionale, të kujdesemi si institucione të kemi rezerva ujore për vendin tonë, sepse secili prej jush e di, se vendi ynë është me rezervat më të pakta ujore në gjithë Evropën”, deklaron Matoshi.
Ndryshe motoja e këtij viti është ‘’Ujë për të gjithë’’.
Në Ditën Botërore të Ujit, Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) vlerëson se Kosova ka sasi të pamjaftueshme të ujit, veçanërisht atij të pijshëm, si dhe ndotje nga shkarkimi i ujërave të patrajtuara dhe hedhjes së mbeturinave. Prandaj, kjo Qendër, kërkon nga të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë ujin në mënyrë sa më të arsyeshme, sidomos në sezonin e pranverës dhe verës kur nevojat për ujë të pijshëm janë më mëdha. Ndërkaq, nga autoritetet shtetërore kërkohet që monitorimi i cilësisë së ujit të pijshëm të bëhet edhe te konsumatori, e jo vetëm në pishina.
Të dhënat nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) thonë se 1.6 milion banorë marrin shërbimet e ujësjellësit, ndërsa pjesa tjetër e banorëve, kryesisht në zonat rurale kanë ujësjellës të veçantë apo sisteme individuale, të cilat nuk menaxhohen nga ofruesit e shërbimeve.
Ndotjes së ujit, sipas kësaj Qendre, po i kontribuojnë edhe kanalizimet, shkarkimet e patrajtuara, mbeturinat e rrezikshme minerare, si dhe deponitë industriale. Prandaj QPA-ja edhe një herë thekson rëndësinë e trajtimit sa më të shpejtë të mbeturinave dhe kanalizimeve apo ujërave të patrajtuara, me qëllim të përmirësimit të gjendjes ekzistuese.