Ndërlidhjet

Kosova në krizë për ujë dhe rrymë


Kosova ka hyrë në krizë energjetike. Vlera e prodhimit të këtij produkti nga termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës është minimale dhe nuk mundëson furnizim të rregullt më energji, thonë zyrtarë të Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike, e njohur më shkurtesën (KEDS).

Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se kjo situatë është krijuar pas ndërprerjes pa paralajmërim të prodhimit të energjisë nga njësia A4 të Termocentralit “ Kosova A”.

Aktualisht në Korporatën Energjetike të Kosovës, energji elektrike janë duke prodhuar vetëm dy njësi të termocentralit “Kosova B”, kurse pjesa e energjisë së nevojshme është duke u importuar.

Megjithatë, Guri Shkodra pohon se mundësia e importit është shumë e vogël, për shkak se edhe vendet e rajonit kanë mungesë të energjisë.

“Jemi duke e bërë të pamundurën, që të sigurojmë sasi të mjaftueshme dhe të ketë furnizim të rregullt të energjisë elektrike, por kjo është shumë e vështirë sepse nuk ka energji elektrike”.

“Të gjitha vendet në rajon kanë mungesë të energjisë elektrike dhe sigurojnë energjinë për vete. Do të thotë, është e pamundshme mundësia e importit të energjisë së mjaftueshme”, ka thënë Guri.

Ndryshe, Korporata Energjetike e Kosovës ( KEK), është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike.

Drejtori ekzekutiv për Shërbime në këtë korporatë, Edmond Nulleshi, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se sfidat energjetike me të cilat Kosova është duke u ballafaquar janë momentale.

“Për momentin KEK-u është duke prodhuar deri në 500 megavat energji orë për orë, nga dy njësi të termocentralit “Kosova B”. Përderisa në termocentralin “Kosova A”, ekipet janë duke punuar për tejkalimin e situatës se krijuar”.

“Sipas informacioneve që kemi, dy njësi të termocentralit “ Kosova A” pritet të kthehen në punë të hënën më 27 korrik”, tha Nulleshi.

Përveç mungesës së energjisë elektrike, qytetarët e Kosovës në këto temperatura të larta, po përballen edhe më mungesë të ujit të pijshëm.

Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arieta Mjeku, ka thënë se ashpërsimi i reduktimeve të ujit të pijshëm po ndodh për shkak të keqpërdorimit nga persona të papërgjegjshëm, kryesisht në viset rurale.

Ajo ka treguar se fabrika e ujit “ Batllava” dhe ajo e “Badovcit”, janë duke punuar me kapacitet maksimal.

“Pavarësisht kapacitetevemaksimale dhe rritjes se nivelit të ujit në të dyja liqenet, rritja e numrit të konsumatorëve çdo ditë e më shumë, i bënë të pamjaftueshme burimet e ujit që i kemi në dispozicion, sepse me të vërtetë uji është duke u keqpërdorur në sasi të madhe. Sidomos fshatrat e komunës së Podujevës dhe Prishtinës janë keqpërdoruesit më të mëdhenj”, thekson Mjeku.

Sidoqoftë, tash e një dekadë qytetarët e Kosovës vazhdimisht janë ballafaquar me mungesë të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, pavarësisht investimeve milionëshe që janë realizuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG