Me debate përplot polemika e mospajtime ndërmjet deputetëve të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, Kuvendi i Kosovës të martën ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme, ku është diskutuar lidhur me ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara nga ana e Qeverisë.
Seanca është thirrur nga deputetët e partive opozitare, përkatësisht Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje dhe Alternativa.
Qeveria e Kosovës, vetëm gjatë dy muajve të parë, u tha se ka shpenzuar mbi 1.4 milion euro, nga 4.8 milionë sa janë ndarë si rezerva shtetërore në kuadër të buxhetit të Kosovës për këtë vit.
Në bazë të ligjit, shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm për raste emergjente dhe të paparashikuara.
Përderisa deputetë të opozitës thanë se Qeveria e Kosovës me këto vendime nuk ka respektuar ligjin përkatës, deputetë nga partitë në pushtet thanë se mjetet nga rezervat shtetërore janë shpenzuar duke u bazuar në ligj.
Deputetët e opozitës më tepër kanë pasur kritika rreth vendimit të Qeverisë për ndarjen e 500 mijë eurove për realizimin e aktiviteteve të shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë se Kosovës. Sipas tyre, Qeveria nuk ka mundur të planifikojë aktivitet që duhet të shënojnë përvjetorin e pavarësisë.
Driton Selmanaj, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se më këto vendime Qeveria e Kosovës tregon mungesën e kulturës së menaxhimit të parasë publike, por paraqet edhe apetitet për zhvatje dhe shpërdorim të parasë.
“Ndarja e kaq shumë fondeve për kaq shumë kategori nga rezervat shtetërore pa asnjë planifikim paraprak, nxjerr dy përfundime; që Qeveria aktuale ka logjikën dhe kulturën zhvatëse dhe abuzuese të parasë publike dhe që kjo Qeveri nuk ka kapacitete as për planifikim, as për zbatim të politikave qeveritare. Politika e tillë është tejet e dëmshme për menaxhimin e parasë së taksapaguesve kosovarë dhe pengon rëndë zhvillimin socio- ekonomik të vendit”, tha Selmanaj.
Ndërkaq, Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar Qeverinë për, siç tha ai, keqpërdorime ligjore dhe financiare. Ai tha se në Kosovë për çdo javë ka keqpërdorim të mjeteve financiare.
“Ligji përkatës tregon procedurat për shpenzimin e rezervave të paparashikuara. Tregohen rrethanat dhe arsyeshmëria. Pse këto rrethana nuk kanë mundur të parashikohen? Ajo që është tronditëse ka të bëjë me festën e pavarësisë. Kjo qeveri nuk e din kur është Pavarësia e Kosovës, apo qysh është puna. Data e Pavarësisë së Kosovës për çdo vit është më 17 shkurt dhe kjo nuk lëviz. Si është e mundshme që shpenzimet për pavarësi të shpenzohen prej këtij fondi dhe gjithmonë me lëkundje shume të mëdha financiare”, theksoi Konjufca.
Duke iu përgjigjur opozitës, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, është fokusuar në shumën prej 500 mijë eurosh, mjete këto që ishin përmendur se janë ndarë për realizmin e aktiviteteve të shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Me sa kam dijeni, kostoja e shpenzimeve për 11 vjetorin e pavarësisë është 175 mijë euro dhe të gjitha mjetet e tepruara do të kthehen në buxhet. Për këtë unë kam kërkuar një auditim të brendshëm”, tha Haradinaj.
Kurse ministri i Financave, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se rezervat e paparashikuara janë ndarë në bazë ligjore. Ai tha se nga shpenzimet e parasë publike nuk ka përkeqësim makro ekonomik gjatë kësaj qeverisjeje. Kurse sa u përket shpenzimeve për 11 vjetorin e pavarësisë se Kosovës, Hamza tha se janë duke pritur raportin zyrtar financiar për nivelin e shpenzimeve.
“Sa u përket rezervave, unë nuk arsyetoj shpenzimin e parasë publike për asnjë cent jashtë rregullave, jashtë procedurave. Por, ka edhe një dallim prej ndarjes buxhetore, alokimit, zotimit dhe shpenzimit. Nëse një organizate buxhetore iu ka dhënë në dispozicion për shpenzim një ndarje buxhetore, iu ka bërë alokimi ia asaj ndarje buxhetore, nuk ka të drejtë ligjore të shpenzojë pa i respektuar të gjitha procedurat”, tha Hamza.
Në anën tjetër, Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike të Kosovës ka propozuar një rezolutë me dy pika; ndalimin e ndarjes së parave pa kritere dhe kërkimin e një raporti të detajuar për shpenzimin e rezerervave buxhetore për shënimin e 11 vjetorit të pavarësisë dhe 500 mijë euro për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, mjete këto që janë ndarë vitin e kaluar.
Por, për votimin e kësaj rezolute nuk ka pasur kuorum në Kuvendin e Kosovës.