Ndërlidhjet

Fondi rezervë shpenzohet për energji dhe manifestime


Ilustrim
Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka shpenzuar gati gjithë shumën e ndarë të fondit rezervë nga buxheti i këtij viti.

Nga rreth 4.8 milionë euro, sa janë ndarë si rezerva shtetërore në bazë të Ligjit vjetor të buxhetit për këtë vit, deri më tani janë shpenzuar mbi 4.7 milionë euro, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, duke shtuar se mjete të pashpenzuara kanë mbetur vetëm 84 mijë euro.

Në bazë të raportit gjashtëmujor financiar të Ministrisë se Financave, shumat më të mëdha janë ndarë për energji dhe organizim të manifestimeve të ndryshme.

Nga kjo vlerë, një milion euro janë ndarë për Operatorin e Sistemit të Transmisionit të Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.

Fondi rezervë shtetëror
Fondi rezervë shtetëror

Rreth 600 mijë euro janë shpenzuar për organizimin e 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 500 mijë euro për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kurse 300 mijë euro janë ndarë për Organizatën e veteranëve të luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të 1500 veteranëve për pushime verore në Shqipëri.

Shuma tjera më të vogla janë ndarë për aktivitete, manifestime dhe qëllime të ndryshme.

Në Kosovë është shënuar 550 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut
Në Kosovë është shënuar 550 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Përfaqësues të organizatave joqeveritare, konsiderojnë se përdorimi i mjeteve të rezervave shtetërore ishte i paarsyeshëm, pasi që, sipas tyre, këto mjete duhet të shpenzohen në raste emergjente.

Mexhide Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Lëvizjen “Fol” thotë për Radion Evropa e Lirë se shpenzimi i fondit rezervë për qëllime tjera joemergjente, nënkupton keqmenaxhim të këtij fondi.

“Nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës shpenzon buxhetin në mënyrë të pakontrolluar. Shpenzimi i mjeteve të fondit rezervë, tregon për një mungesë të transparencës dhe llogaridhënies nga qeveria, pasi këto mjete janë ndarë pa ndonjë arsye të caktuar".

"Vetë fakti që fondi rezervë është shpenzuar për aktivitete që nuk është i destinuar ky fond është keqmenaxhim i buxhetit”, thotë Demolli.

Në bazë të ligjit, shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara.

Por, në raste të tilla, sidomos nga dëmet që kanë shkaktuar reshjet e shiut gjatë periudhës se verës, Qeveria e Kosovës nuk është treguar e gatshme të kompensojë dëmet e tilla.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi shtatë milionë euro vlerësohen dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore në disa komuna të Kosovës.

Në mesin e bujqve të dëmtuar është edhe Daut Morina, nga fshati Drenoc në Komunën e Malishevës, i cili për Radion Evropa e Lirë tregon se e gjithë sipërfaqja e të mbjellave në lagjen ‘Morina’ është dëmtuar.

Ai tregon se sipërfaqja me mbi 20 hektarë të mbjella me kulturën e grurit dhe rreth 2 hektarë të mbjella me perime, janë dëmtuar komplet, kurse edhe pas kërkesës për kompensim nga autoritetet komunale, ende nuk është paguar për dëmet e shkaktuara.

“Përfaqësuesit e lagjes nuk kanë bërë ndonjë vlerësim, vlerësimin e kanë bërë zyrtarë komunalë, por që deri më tani dëmi nuk është kompensuar“, tha Morina .

Dëmet nga reshjet në tokat bujqësore
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:18 0:00

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara këtë vit nga reshjet e shiut dhe breshrit nëpër komunat e Kosovës, por nuk dihet shuma e kompensimit.

Shqetësim për shpenzim të fondit rezervë ka paraqitur edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i kësaj ministrie Muharrem Shahini, ka thënë se ministri ka kërkuar që kërkesat e organizatave buxhetore të planifikohen më kohë dhe të futen brenda planifikimeve të rregullta të buxhetit.

Ndërsa, rezerva shtetërore të ruhet për rastet të cilat nuk kanë mundur të planifikohen apo të parashihen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG