Ndërlidhjet

Qeveria nuk zbaton kursimet, rrit shpenzimet


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës, sipas raportit financiar për gjashtë mujorin e këtij viti, për mallra dhe shërbime ka shpenzuar 92 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rritje të këtyre shpenzimeve për rreth 10 milionë euro.

Shpenzimet për mallra dhe shërbime përfshijnë shpenzimet e udhëtimit, shpenzimet e telekomunikimit, derivatet, mirëmbajtjen, qiranë e objekteve publike, blerjen e mobilieve dhe pajisjeve si dhe blerje të tjera.

Derisa, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se shpenzimet janë bërë në pajtim për Ligjin për Buxhetin, ekspert të çështjeve ekonomike i konsiderojnë shpenzime të shumta e që do të duhet të fillohet me politika të kursimit.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se institucionet publike duhet të kenë një qasje më pozitive në kursim të shpenzimeve dhe ulje të tyre.

Ai thotë se duhet të punohet në rritjen e përgjegjësisë të shpenzimit të parasë publike, duhet të ketë monitorim dhe nëse ka keqpërdorime të ketë ndëshkim.

“Në Kosovë është duke dominuar një agjendë politike, një agjendë e cila merret për të zbukuruar të kaluarën sesa për të ndërtuar të ardhmen, e ardhmëria është zhvillimi ekonomik. Nuk duhet të jetë sektori privat çdo herë ai i cili gjeneron mirëqenie dhe stabilitet ekonomik, këtu duhet një kontribut i institucioneve publike. Në këtë drejtim nëse analizohen trendet moderne të menaxhimit ekonomik kursimet dhe ulja e shpenzimeve janë indikator kyç që reflektojnë pozitivitet në ndërmarrësi dhe institucione, por një gjë e tillë nuk është duke ndodhur në Kosovë”, thotë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, këshilltari për ekonomi në Qeverinë e Kosovës, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se shpenzimet janë bërë brenda kuotave të lejuara me buxhetin e Kosovës.

“Shpenzimet publike janë plotësisht në pajtim me Ligjin për buxhetin aktual dhe në pajtim më Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Çdo organizatë buxhetore nuk e ka tejkaluar limitin e caktuar me buxhet dhe janë brenda kuotave të lejuara. Për të gjitha shpenzimet ka kontroll”, thekson Shatri.

Sidoqoftë, eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë se këto shpenzime mund të jenë paraqitur si kërkesë, mirëpo ka mundësi që të reduktohen.

Ai shton se nuk është obligim i Ministrisë së Financave që të jetë gjithmonë monitorues në këtë drejtim dhe sipas tij, duhet edhe agjencionet buxhetore të kenë një kulturë më të lartë të shpenzimit të parasë publike.

“Sot në institucionet publike në Kosovë nuk është trend për të kursyer, por është një tentativë për të grabitur, një tentativë për t’u pasuruar dhe keqpërdoruar. Besoj që është koha që të kemi një kampanjë vetëdijesuese për këto institucione që se nëse sot kursehet kontribuohet për nesër për gjenerata e reja. Duhet të kuptohet se kursimi është vlerë nga e cila do të përfitojnë qytetarët dhe do të rritet mirëqenia në institucionet shtetërore”, thekson Gërxhaliu.

Buxheti i Kosovës për vitin 2018 është 1.8 miliardë euro.

Agjencitë buxhetore në Kosovë në vazhdimësi janë kritikuar nga organizatat ekonomike dhe nga ekspertë të çështjeve ekonomike për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG