Ndërlidhjet

Punonjësve shëndetësorë u premtohet dyfishim i pagave


Ilustrim
Ilustrim

Të gjitha institucionet publike shëndetësore në Kosovë, po ofrojnë shërbimet e nevojshme shëndetësore për pacientët. Ofrimi i shërbimeve është normalizuar pasi që enjten është ndërprerë greva e përgjithshme e punonjësve shëndetësorë që ishte organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.

Profesionistët shëndetësorë në Kosovë, në vazhdimësi po kërkojnë që t’u rriten pagat. Mosrealizimi i kërkesës së tyre, i kishte shtyrë ata që të futeshin në grevë gjatë fundit të dhjetorit. Një gjendje e tillë, kishte ndikuar që gjatë ditëve të grevës, qytetarëve të mos u ofroheshin shërbimet e nevojshme shëndetësore, përveç rasteve urgjente.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë Blerim Syla, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se përkohësisht është ndërprerë greva për hir të pacientëve.

Megjithatë, ai shtoi se po presin reflektim nga ana e Qeverisë për rritje pagash, ndryshe, sipas tij, do të ndërmerren masa në të ardhmen.

“Ne kemi vendosur që greva të pezullohet, por ndërkohë kryesia do të negociojë me të gjithë aktorët relevantë për arritjen e marrëveshjes që kanë premtuar qeveritarët. Gjithashtu, do të merren parasysh edhe koeficientet që i ka kërkuar Federata Sindikale e Shëndetësisë. Negociatat do të vazhdojnë përderisa ky ligj të shkojë në Kuvendin e Kosovës”.

“Nëse kjo nuk arrihet, atëherë do të mblidhet Këshilli Drejtues me vendime të reja. Kjo është marrë për hir të pacientëve pasi ata po vuajnë nga mosofrimi i shërbimeve”, tha Syla.

Në anën tjetër, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi, tha se shumë shpejt punonjësit shëndetësorë do të marrin paga dyfish më të larta se këto aktuale.

“Mendoj se është lajm i mirë ndërprerja e grevës, pasi që është hapur rrugë për dialog social. Mendoj se Ligji për pagat do të kalojë bashkë me buxhetin dhe deri në fund të muajit janar pritet që të përfundojë kjo punë”.

“Mendoj se edhe profesionistët shëndetësorë do të marrin paga me rritje shumë shpejt dhe është lajm i mirë pasi duhet t’i gëzojë mjekët, meqë do t’u dyfishohen pagat”, tha Matoshi.

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, gjatë kohës sa është mbajtur grevë ka reaguar duke thënë se pacientët nuk mund të lihen pa shërbime shëndetësore.

Besim Kodra, udhëheqës i kësaj shoqate, kishte mbajtur edhe konferencë për media duke bërë thirrje që greva të ndërpritet.

Fillimisht, greva e punëtorëve shëndetësorë ishte paraparë të zgjaste 24 orë. Më pas, Këshilli Drejtues kishte marrë vendim që greva të vazhdonte pa afat të caktuar. Por, ajo është ndërprerë ditën e enjte më 3 janar, duke i dhënë kështu një shans Qeverisë që të reflektojë karshi kërkesave të punonjësve shëndetësorë, për paga më të larta dhe kushte më të mira të punës.

Ndryshe, paga mujore e mjekëve specialistë është rreth 600 euro, derisa infermierët paguhen rreth 400 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG