Ndërlidhjet

Mjekët paralajmërojnë kolaps nëse nuk u rriten pagat


QKUK
QKUK

Përmes një greve 24 orëshe, punonjësit shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i kanë dërguar mesazhe Qeverisë së Kosovës për kërkesat e tyre, që ndërlidhen me rritjen e pagave. Greva e mbajtur të hënën, është zhvilluar sipas thirrjes nga Federata e Sindikatave Shëndetësore të Kosovës.

Mjekët që punojnë në sektorin publik thonë se nëse Qeveria nuk merr parasysh kërkesat e tyre për rritje të pagave, atëherë, sipas tyre, mund të ketë kolaps në sektorin e shëndetësisë.

Një mjek specialist në Kosovë paguhet për punën që kryen me rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët me rreth 400 euro në muaj.

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë bëri të ditur se kanë bërë përpjekje që me negociata me Qeverinë, si atë të kaluarën ashtu edhe Qeverinë aktuale, që të rriten pagat në shëndetësi. Ai thotë se i kanë adresuar kërkesat e tyre te të gjitha instancat përkatëse, por ato nuk janë marr parasysh.

“I kemi konfirmimet zyrtare se në Projektbuxhetin për vitin e ardhshëm nuk është paraparë rritja e pagave për punëtorët shëndetësorë. Kryeministri (Ramush) Haradinaj na ka premtuar se do të na rriten pagat dhe kjo do të ndodhë me ligj. Kemi kontribuuar shumë në draftimin e Projektligjit për buxhetin, mirëpo asnjë nga kërkesat tona nuk ka kaluar. Ligji ende nuk ka dalë në lexim të dytë, mirëpo edhe nëse del nuk jemi të kënaqur sepse nuk janë marr parasysh kërkesat tona. Prandaj erdhëm deri te greva 24 orëshe”, deklaroi Syla.

Ai ka bërë të ditur se më datën 20 dhjetor do të mblidhet Këshilli Drejtues i FSSHK-së ku do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Uran Ismaili thotë se tashmë ai ka mbajtur premtimin për rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë, duke shtuar se tashmë në Qeverinë e Kosovës është dorëzuar dhe është votuar Ligji për kategorizimin i pagave, derisa i mbetet Kuvendit të votojë ose jo.

“Ne e kemi mbajtur premtimin. Unë kam lobuar te shumë deputetë pa marrë parasysh partinë politike, të dalin mbështetës të sektorit të shëndetësisë, pasi ky sektor është mbi politikën dhe të votohet ky ligj, në mënyrë të hapet dera për profesionistët shëndetësorë, duke u paguar dinjitetshëm”, tha Ismaili.

“Gjithashtu me këtë do ta ndalim edhe migrimin e mjekëve dhe infermierëve. Duhet t’u japim një të ardhme mjekëve, e kjo arrihet duke i paguar mirë dhe duke iu krijuar kushte për punë. Nëse nuk votohet për inate politike, do të jetë një humbje e madhe për gjitha partitë politike dhe këtë faturë do paguajnë qytetarët”, tha ministri Ismaili.

Ndërkaq kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani, ka falënderuar punëtorët e klinikave për respektimin e grevës ditën e hënë, si dhe punëtorët e Qendrës Emergjente mbi të cilët ka rënë barra më e madhe gjatë kësaj dite.

“Shëndetësia nuk është prioritet sipas Projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, flas me atë që kemi parë. Pra, nuk është paraparë rritja e mirëqenies së punëtorëve shëndetësorë, e cila reflektohet direkt në popullatën tonë”, është shprehur Selmani.

Punëtorët shëndetësorë në vazhdimësi kanë insistuar në realizimin e kërkesës së kamotshme për rritjen e pagave.

Ndërkaq në Ministrinë e Shëndetësisë prej vitesh kanë deklaruar se në proces janë disa reforma në shëndetësi, ku edhe rritja e pagave është një prej të rejave që mund të sjellin këto reforma.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG