Ndotja e ajrit në Kosovë tashmë ka arritur në nivel të rrezikshmërisë për shëndetin e qytetarëve. Sipas matjeve zyrtare nga Konsullata e Shteteve të Bashkuara, Prishtina këto ditë prinë me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në botë.
Si rrjedhojë e nivelit të lartë të ndotjes së ajrit është rritur edhe numri i pacientëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore, posaçërisht personat me sëmundje kronike, ndër të cilët hyjnë edhe fëmijët.
Vetëm në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për 24 orë ndihmë mjekësore kanë kërkuar mbi 140 persona.
Basri Lenjani, drejtori i Qendrës Emergjente, thotë se këta pacientë pasi lajmërohen në emergjencë referohen për në klinikat përkatëse, kryesisht në atë të Pulmologjisë si dhe Kardiologjisë.
“Dominon patologjia e sëmundjeve kronike, ato kardiologjike, neurologjike dhe pulmologjike që kohët e fundit janë shfaqur si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së ajrit”.
“Sëmundjet kronikë riakutizohen zakonisht. Andaj edhe rritet numri i pacientëve. Por, ne më pas i referojmë këta pacientë në klinika përkatëse”, tha Lenjani.
Video: Alarm nga ajri i ndotur
Ndërkaq, zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë thekson se “ndotja e ajrit vlerësohet se çdo vit shkakton 835 vdekje të parakohshme në vend”.
Pulmologja Rukije Mehmeti i tha Radios Evropa e Lirë se ka rritje të dukshme te numrit të pacientëve me probleme në mushkëri, gjatë muajve të fundit.
Vetëm gjatë muajit nëntor të këtij viti, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 1046 pacientë në Klinikën e Pulmologjisë.
“Ndotja e ambientit ndikon tek të gjithë të sëmurët kronik dhe përkeqëson gjendjen e tyre shëndetësore. Kjo i kushton edhe shtetit shumë, pasi pothuajse të gjithë hospitalizohen dhe shteti paguan për ta. Fatkeqësisht edhe fëmijët janë të prekur nga ndotja e ambientit dhe për këtë gjendje duhet të ngritët zëri”, tha Mehmeti.
Raporti i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëroi se ndotja e ajrit shkakton çdo vit vdekjen e 7 milionë personave në botë, ndërsa 92% e rreth 4 miliardë personave në rajonin Azi-Paqësor janë duke thithur ajër toksik.
Ndërkaq, rreth 600.000 fëmijë në botë vdesin çdo vit nga ajri i ndotur, thuhet në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.