Ndërlidhjet

Prishtina kërkon partneritet ndërkombëtar për fazën finale të dialogut


Takimi i liderëve dhe anëtarëve të ekipit negociator me Serbinë, 26 dhjetor 2018.
Takimi i liderëve dhe anëtarëve të ekipit negociator me Serbinë, 26 dhjetor 2018.

Në fazën finale të bisedimeve me Serbinë, Kosova po hyn “më e përforcuar”, marrë parasysh se krahas presidentit Hashim Thaçi, i cili pritet të vazhdojë dialogun me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, tashmë është formuar edhe një Ekip negociues, i përbërë nga Qeveria e Kosovës dhe njëra prej partive opozitare, Partia Social Demokrate.

Diku në mes, po qëndron edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili për dy ditë rresht po i mbledh në një takim të përbashkët të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces të negociatave. Aktualisht, jashtë dialogut kanë mbetur dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, bashkë me kryesuesit e ekipit negociator të dialogut me Serbinë, kanë zhvilluar të enjten një takim edhe me ambasadorët e akredituar në Prishtinë, përkatësisht, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përfaqësuesit e BE-së.

Nikoqiri i takimit, Kadri Veseli, u ka kërkuar përfaqësuesve ndërkombëtarë mbështetje në këtë proces.

“Kosova deri tani që nga koha e luftës ka bashkë-udhëtuar me aleatët e saj perëndimor nëpër çdo proces të rëndësishëm. E kaluara na ka treguar që ky bashkë-udhëtim, dhe uniteti i spektrit politik në çështje të mëdha, ka rezultuar gjithnjë me fitore për Kosovën. Andaj, unë sot kam vetëm një mesazh të qartë, ne jemi gati dhe ne jemi bashkë”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog me Serbinë dhe për arritjen e një marrëveshjeje, gjithëpërfshirëse dhe balancuese.

Sipas presidentit Thaçi, marrëveshja eventuale me Serbinë, do të ishte në interes të paqes. Ai ka shtuar se Ekipi negociator i Kosovës do ta bëjë punën e vet dhe, sipas tij, ky grup do ta këtë përkrahjen e Presidencës.

“Unë do ta përkrah plotësisht punën e ekipit negociator të Kosovës, kur ata kërkojnë ndonjë këshillë/rekomandim ndonjë takim për të biseduar bashkërisht. Unë do të jem gjithmonë në dispozicionin e tyre, qoftë në rrafshin teknik apo politik gjithmonë duke respektuar përgjegjësitë institucionale, kushtetuese dhe ligjore”, ka theksuar Thaçi.

Thaçi ka thënë se delegacioni i Kosovës që do të shkojë në Bruksel për bisedime me Serbinë, e ka legjitimitetin qytetar dhe përgjegjësinë e marrë nga të zgjedhurit e popullit të Kosovës.

“Do të ishte me interes që të ketë përfshirje edhe më të gjerë, gjë që shpresoj që në javët e ardhshme do të ndodhë, në veçanti nga njerëzit që kanë një logjikë dhe filozofi shtet-formuese për Kosovën”, është shprehur Thaçi.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka nevojë për unitet dhe për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se është angazhuar që nga fillimi që të ketë dialog përmbajtjesor, transparent dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke angazhuar ekipin më të mirë dhe ekspertë të jashtëm që Kosovës t’i prezantojnë ekipin negociator dhe dokumentin bazë, librin me shumë kapituj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova ka nevojë për unitet dhe unifikim të qëndrimeve të krejt spektrit politik në vend, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje që është në përputhje të plotë me vullnetin politik të popullit të Kosovës, të shprehur më 17 Shkurt 2008, nga Parlamenti i Republikës së Kosovë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ambasadorët e Quintit, sipas tij, i kanë dhënë mbështetje këtij delegacioni dhe po ashtu kanë kërkuar unitet dhe përfshirje të të gjithë spektrit politik në fazën finale të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ekipi negociator i Kosovës bashkëkryesohet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, njëherësh kryetar i Prishtinës.

Limaj ka thënë pas takimit me ambasadorët, se aty është shprehur gatishmëria e Kosovës për dialogun me Serbinë.

“Ambasadorët shprehën përkrahje të plotë dhe natyrisht ata janë miqtë tanë, duan ta shohin Kosovën unike dhe mbështesin idetë tona dhe angazhimin tonë. Inkurajuan që të vazhdojnë përpjekjet tona për t'i angazhuar edhe të tjerët në proces. I dhanë mbështetje të fortë idesë sonë, angazhimeve tona, vetë delegacionit dhe institucioneve të Kosovës. Dhe, si çdo herë edhe tani shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Kosovën”, është shprehur Limaj.

Ekipi negociator për dialogun me Serbinë, rezoluta, projektligji për dialogun po kundërshtohen nga dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se janë kundër procesi të dialogut për faktin se, siç deklaron, janë dëshmitarë të asaj se procesi i dialogut prej vitit 2011 deri në vitin 2017 ka qenë në dëm të Republikës së Kosovës.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosje i kanë shkruar një letër përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dhe komisionarit për Zgjerim, Johannes Hahn, përmes së cilës theksojnë se Ekipi negociator i Kosovës për bisedimet me Serbinë nuk e ka mbështetjen e shumicës së opozitës në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG