Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosje i kanë shkruar një letër, Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, përmes së cilës theksojnë se ekipi negociator i Kosovës për bisedimet me Serbinë nuk e ka mbështetjen e shumicës së opozitës në Kosovës.
“Lidhur me letrën tuaj të datës 17 dhjetor 2018, dërguar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, jemi befasuar shumë kur lexuam fjalinë në vijim: “Me vendosjen e ekipit të unitetit me një mbështetje të gjërë nga partitë në qeveri dhe në opozitë…”. Ju lutemi të keni parasysh se ne, Opozita kryesore që përfaqëson shumicën e elektoratit të vendit, siç shpjegohet më lartë, nuk kemi votuar për këtë "ekip të unitetit" të cilit i referoheni. Për pasojë, nuk ka "mbështetje të gjerë" për këtë ekip, siç shkruani ju në letrën tuaj” thuhet në letrën e nënshkruar nga shefat e grupeve parlamentare të LDK-së dhe VV-së, Avdullah Hoti dhe Glauk Konjufca .
Në letër, dy partitë opozitare, megjithatë shfaqin përkushtimin për të zgjidhur përmes dialogut, të gjitha çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi shumë të interesuar për një dialog mes dy vendeve tona që largohet prej paqartësisë dhe shkon drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke nënkuptuar njohjen reciproke” thuhet në letër.
Lexoni edhe këtë: Ekipi i ri negociator pretendon rolin kryesor në dialogun me Serbinë