Ndërlidhjet

Ndryshimet tatimore mbushin arkën e shtetit


Ilustrim
Ilustrim

Tre vjet pas hyrjes në fuqi të pakos fiskale, që si e tillë përcaktoi dy norma të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), normën standarde 18 për qind dhe normën e reduktuar 8 për qind, flitet për efekte pozitive në ekonominë e Kosovës.

Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar para këtyre ndryshimeve të bëra në vitin 2015 ka qenë 16 për qind për të gjitha produktet.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të hyrat qeveritare nga tatimi mbi vlerën e shtuar që nga hyrja në fuqi e pakos fiskale, e deri më tani, kanë shënuar rritje.

Në vitin 2015 të hyrat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar kanë qenë 584,3 milionë euro, në vitin 2016 mbi 650 milionë euro, dhe ndërsa vitin 2017 kanë qenë mbi 711,5 milionë euro.

Ndërkohë, në një vlerësim të kësaj pakoje fiskale të bërë nga Administrata Tatimore e Kosovës thuhet se në të hyrat e realizuara nga TVSH-ja për gati në të gjitha aktivitetet pas hyrjes në fuqi të kësaj pakoje, ka pasur ngritje të të hyrave.

Rënie të të hyrave ka pasur tek aktivitetet me ndryshimet e normave tatimore nga 16 për qind në 8 për qind.

“Ndryshimi i të hyrave në TVSH për periudhën janar-gusht 2016 me janar-gusht 2015 në këto aktivitete, është 14 milionë euro më e vogël se sa periudha para ndryshimit të normave tatimore”, thuhet në raportin e ATK-së.

“Pakoja fiskale, e cila ka nisur të zbatohet në vitin 2015, ka dhënë efektin e saj, ku ka rezultuar me rritjen e të hyrave si rezultat i këtyre normave të ndryshuara. Për periudhën janar - gusht 2016 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2015, ka pasur rritje të të hyrave”, ka thënë Valentina Bytyçi- Sefa, zëdhënëse në Administrata Tatimore e Kosovës

Pakoja fiskale e vitit 2015 kishte përfshirë ndryshimet në Ligjin për TVSH- Ligjin për tatimin në të ardhura personale, si dhe Ligjin për tatimin në të ardhura të korporatave.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se efektet e kësaj pako fiskale kanë rezultuar të jenë pozitive për ekonominë e vendit.

“Pakoja e fiskale e aprovuar nga Qeveria në vitin 2015, ka dhënë efektet e saj në ekonomi për arsye se gjatë tre vjetëve kemi pasur një rritje ekonomike mbi 4 për qind që ka qenë më e larta në rajon. Njëkohësisht, edhe pse pakoja e re fiskale ka pasur lirime deri në 40 milionë euro për bizneset, megjithatë të ardhurat në arkën e shtetit nuk janë zvogëluar”, ka thënë Gashi.

Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 aprovoi masat të reja fiskale ku lirohen nga tatimi doganor lënda e parë që përdoret për prodhim, linjat e makinerive prodhuese si dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit e të tjera.

Efektet e këtyre masave fiskale, sipas Gashit, mund të vërehen pas disa viteve.

“Efektet e pakos fiskale do t’i shohim pas 1 apo dy vjetësh pasi që në ekonomi reformat nuk vërehen gjatë vitit fiskal. Ajo që është me rëndësi, është se Dogana dhe Administrata tatimore kanë performuar shumë mirë dhe nuk do të ketë destabilitet financiar, edhe pse është miratuar pakoja e re fiskale”, ka shpjeguar Gashi.

Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës janë kontribuuesit kryesorë të buxhetit të shtetit, i cili në këtë vit kap shifrën e 1.8miliardë euro.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG