Ndërlidhjet

Demarkacioni shkon në Arbitrazh vetëm me pajtimin e Malit të Zi


Një grafit ku shkruan "Kosovë deri në Çakorr".
Një grafit ku shkruan "Kosovë deri në Çakorr".

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Kosova nuk mund ta dërgojë në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në Arbitrazh ndërkombëtar. Sipas tyre, Demarkacioni mund të shkojë në Arbitrazh vetëm nëse do të ketë pajtim ndërmjet të dyja palëve, përkatësisht nëse për këtë do të pajtohet edhe Mali i Zi.

Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e Prishtinës duhet të bisedojnë me ato të Malit të Zi për çështjet e mbetura diskutabile, përfshirë edhe çështjen e Arbitrazhit.

"Mendoj se Kosova, jo vetë, por bashkë me Malin e Zi, mund ta dërgojë në Arbitrazh në ato rasate kur nuk mund të gjendet një gjuhë e përbashkët një marrëveshje, dhe në mënyrë që çështje të mos shmangë procesin gjyqësor, që nënkupton një proces me implikime pak më të thella, me kosto me të madhe, me shpenzim të kohës, të dyja palët mund të merren vesh që çështjen ta dërgojnë para një Arbitrazhi të paanshëm ndërkombëtar", tha Hoti.

Hoti the se vendimi për ta dërguar çështjen në Arbitrazh mund të vi në shprehje vetëm në rast se Komisioni i ri i formuar nga Qeveria e Kosovës, gjen fakte të reja të cilat kanë qenë të panjohura për komisionin paraprak, dhe të cilat mund të kenë ndikim në çështjen përfundimtare.

Ai thotë se në rast se Mali i Zi nuk pranon faktet e reja, Arbitrazhi ndërkombëtar shmanget.

"Në një rast të tillë shmanget Arbitrazhi, eventualisht njëra palë mund të ndjekë procesin gjyqësor duke bërë padi para gjykatës, që në këtë rast Kosova nuk e ka këtë të drejt", tha Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se është në pritje të rezultateve të Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit. Sipas Haradinajt, Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi me gjasë do të mund të përfundojë në Arbitrazh, pasi që, siç është shprehur ai, Kuvendi nuk i ka votat për ratifikimin e marrëveshjes aktuale, të nënshtruar në gusht të vitit 2015.

Vjosa Osmani, kryetare e Komisioni për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evrope e Lirë se një çështje mund të dërgohet në Arbitrazh vetëm me pajtimin e të dyja palëve. Ajo thekson se kërkohet edhe pajtimi i Malit te Zi për të shfrytëzuar këtë metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve.

"Kjo nënkupton se pa pajtimin e Malit të Zi, nuk do të ketë ndonjë mundësi që të shfrytëzohen Arbitrazhi apo edhe ndonjë metodë tjetër për zgjidhjen e kontesteve. Prandaj, është esenciale që nëse Qeveria synon një zgjidhje të tillë për çështjen e Demarkacionit, patjetër të shfrytëzojë gjithë energjinë e vetë në kontakte me Malin e Zi, që ky shtet të bindet që çështja të dërgohet në Arbitrazh", tha Osmani.

Nënshkruesi i Marrëveshjes ekzistuese për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ish- ministri i jashtëm atëherë, tani presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka bërë thirrje që të mos humbet kohë me këtë çështje.

Presidenti Thaçi në një postim të tij në Facebook, tha se "është koha që institucionet shtetërore të tejkalojnë këtë situatë duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme. Nuk mund të vazhdohet në pafundësi që individë të caktuar, shtetin ta trajtojnë si pronë private", ka shkruar Thaçi.

Institucionet e Republikës së Kosovës, ka shtuar Thaçi, duhet të marrin vendim për Demarkacionin në përputhje me obligimet dhe procedurat, “pa u ndikuar nga individë të caktuar”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG