Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, po i shqyrton dokumentet dhe faktet ekzistuese në lidhje me shënjimin e vijës së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Shpejtim Bulliqi, kryesues i këtij Komisioni, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht po punohet në tri segmente; në atë të analizimit të dokumentacionit nga komisioni i kaluar, hulumtimi në disa institucione relevante dhe puna në terren.
Bulliqi nuk ka caktuar një kohë se kur Komisioni aktual do të mund të dërgojë një raport final në Qeveri.
"Punën tonë ne do ta bëjmë sa më shpejt që është e mundur. Jemi duke punuar në mënyrë intensive, por datë dhe kohë të caktuar nuk mund të japim pa u përafruar i gjithë procesi", tha Bulliqi.
Aktualisht Komisioni, sipas Bulliqit, ka nevojë për bashkëpunim me institucionet e vendit për gjetjen e fakteve për të shënuar vijën kufitare me Malin e Zi.
"Nuk them se nuk kemi [bashkëpunim], e kemi, por jo në shkallën e kënaqshme. Ne kemi nevojë gjithsesi edhe për ekspertizë ndërkombëtare, por sigurisht jo për aso ekspertiza çka i sollën institucionet tona", theksoi Bulliqi.
Anëtarët e Komisionit aktual, janë personalitete që e kanë kundërshtuar versionin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, të cilin e kishte aprovuar si raport ish-Komisioni shtetëror. Sipas anëtarëve të rinj, të emëruar pas zgjedhjes së Qeverisë së re të Kosovës nga kryeministri Ramush Haradinaj, komisioni i kaluar kishte bërë gabime, si dhe ishin bërë parregullsi duke i tejkaluar kompetencat që i ka pasur ish-komisioni, i cili drejtohej nga Murat Meha, tashmë i dorëhequr.
Komisioni aktual ka konstatuar, veç tjerash, se ish-komisioni nuk ka pasur të drejtë të bëjë delimitacionin (caktimin e kufirit) të ri të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, për faktin se ka ekzistuar një kufi i delimituar që nga viti 1946.
Eksperti Tomor Çela, ishte angazhuar në një komision gjithëpërfshirës nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bazë të një kërkese të ish-Qeverisë së Kosovës, në kohën e kryeministrit Isa Mustafa. Ai komision, provoi të sillte rezultate shkencore dhe në fund, ishte pajtuar me versionin e Komisionit paraprak.
Çela tha se pavarësisht punës që do të bëhet tash e tutje, megjithatë, vija e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi do të mbetet sipas versionit që kishte propozuar Komisioni paraprak.
"Nuk pres diçka të veçantë apo ndryshe nga ky Komision. Por besoj që ata duhet ta kryejnë punën e vet ashtu siç ata mendojnë, mirëpo rezultati do të jetë i njëjtë dhe nuk do të ketë rezultat tjetër", tha Çela.
Komisioni aktual për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, nënvizoi Çela, e ka për detyrë që të vendosë duke u bazuar në të dhënat administrative dhe profesionale dhe jo, siç tha ai, të nxjerrë vërejtje për takime e protokolle të komisionit të kaluar.
"Nëse komisioni do të nxjerrë vërejte e sugjerime rreth çështjeve të protokollit e takimeve, është humbje kohë", vlerësoi Çela.
Ai tha, po ashtu, se Komisioni aktual shtetëror, me gjithë pretendimet e kryeministrit Haradinaj, nuk do të mund ta vendosë vijën kufitare në deri në Çakorr.
"Të gjitha ato troje janë shqiptare. Janë të banuara me shqiptarë dhe historikisht kanë qenë tonat. Por, fati dhe historia ka qenë e dhimbshme për ne. Në aspektin administrativ është kjo që është dhe për momentin nuk mund ta ndryshojmë", theksoi Çela.
Nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror është thënë se ka nevojë edhe për një numër të konsiderueshëm të materialeve shtesë, të cilat do të kërkohen me shkrim në disa institucioneve përkatëse.
Deputetët e opozitës nga legjislatura e kaluar, pretendonin se me Marrëveshjen e vitit 2015 për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor. Pjesë e opozitës së atëhershme ishte edhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, i cili njihet për kundërshtimin e versionit të marrëveshjes aktuale për Demarkacionin me Malin e Zi.
Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, besohet se po e mban peng procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ngase Komisioni Evropian e ka vënë atë si kusht që Kosova duhet ta përmbushë për heqjen e vizave.
Facebook Forum