Ndërlidhjet

Thaçi: Për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë do të dëgjohet vullneti i popullit


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbyllin kapitullin e armiqësive me një marrëveshje për normalizimin e raporteve reciproke.

Ai ka mbrojtur idenë e tij që marrëveshja përfundimtare me Serbinë t’i nënshtrohet edhe referendumit.

“Mendoj se përtej bartësve të institucioneve, përtej Qeverisë, përtej Kuvendit, duhet që kësaj radhe këtë marrëveshje ta përcjellim te vet sovrani përmes vullnetit të tij, pra populli i Kosovës. Dhe kjo mundësi duhet të ofrohet”, ka deklaruar Thaçi.

Ai aktualisht po qëndron në Nju Jork, ku po zhvillon takime me përfaqësues ndërkombëtar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se edhe Kosova shumë shpejt do të ketë vendin e vet në këtë organizatë.


Radio Evropa e Lirë: Zoti President, po qëndroni në Nju Jork ku po i zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Por, Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se i gjithë aktiviteti i juaj zhvillohet në margjinat e kësaj Asambleje. Atje, jeni takuar edhe me Shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Andaj, si e shihni ju vazhdimin e dialogut me Serbinë në kohën kur tash Kosova i ka më në fund të formuara edhe institucionet e reja?

Hashim Thaçi: Definitivisht dialogu në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, konkretisht të zonjës (Federica) Mogherini dhe mbështetjen e fuqishme dhe të drejtpërdrejtë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të marrë një dinamikë të re në agjendën e re për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, që do të nënkuptonte normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore, dhe pajtimin në mes të popujve tanë.

Edhe këtu në Nju Jork, nën organizimin e zonjës Mogherini e kemi zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, (Aleksandar) Vuçiq, me të cilin diskutuam për formën, mënyrën dhe mundësitë e vazhdimit të dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, që do të nënkuptonte perspektivë të sigurt euroatlantike për Kosovën, që të jemi pjesë edhe e OKB-së, edhe të përshpejtohet procesi edhe për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, dhe natyrisht në kuadër të kësaj edhe perspektiva evropiane edhe e Serbisë.

Ka mbetur që të ketë takime edhe më të shpeshta dhe të ketë ide konkrete, të cilat do të rezultojnë me një marrëveshje të pranueshme për të dyja vendet dhe që të mund të kuptohet, interpretohet dhe të jetë realitet i fitores për Kosovën, për Serbinë dhe investimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur referendumin në lidhje me rezultatet e këtij dialogu. Çfarë keni menduar me këtë referendum pasi që në Prishtinë ka rezerva rreth kësaj ideje?

Hashim Thaçi: Tash ne jetojmë në botën e demokracisë, pluralizmit politik dhe për çdo ide ka komente, ka opinione, ka vlerësime të ndryshme, të cilat unë si president i vendit, por edhe më herët, i vlerësoj lartë. Mendoj se njerëzit ende nuk janë mësuar se në Kosovë mund të organizohet referendum, por diçka e tillë do të mund të organizohet në një koordinim të plotë të institucioneve të vendit, duke respektuar mekanizmat kushtetues dhe ligjorë me një unitet të spektrit politik, të shoqërisë civile, të mediave dhe të gjithë njerëzve në Kosovë.

Marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të jetë marrëveshje historike, pas një problemi dhe konflikti për më tepër se një shekulli, në mes të vendeve dhe popujve tanë.

Prandaj, mendoj se kjo marrëveshje përfundimtare nuk duhet të mbetet peng i problemeve ditore politike, apo fushatave partiake politike, apo e një adrese të caktuar politike. Duhet të vihet mbi interesat e çdo partie, ideologjie, apo personaliteti në kuptimin e opinionit për këtë marrëveshje.

Mendoj se përtej bartësve të institucioneve, përtej Qeverisë, përtej Kuvendit edhe pse aty janë përfaqësuesit (e popullit) në Kuvend, duhet që kësaj radhe këtë marrëveshje ta përcjellim te vet sovrani përmes vullnetit të tij, pra populli i Kosovës. Dhe kjo mundësi duhet të ofrohet.

Radio Evropa e Lirë: Po ashtu, Kosova nuk ka as Ligj për referendum, a nënkupton kjo se do të iniciohet ndërkohë një ligj i tillë?

Hashim Thaçi: Paraprakisht dëshiroj të theksoj se duhet të fillojë dialogu, pastaj të shohim gjatë procesit se si do të rrjedhin gjërat, dhe në rast të arritjes së marrëveshjes do të iniciohet nxjerrja e ligjit për referendum, për çështje të veçantë konkrete.

Radio Evropa e Lirë: Zoti president, në çka konsiston edhe ideja e juaj për formimin e një ekipi të unitetit për bisedimet me Serbinë. Mendoni se mund ta përfshini edhe opozitën në këtë ekip?

Hashim Thaçi: Pra institucionalisht, ne si spektër politik kosovar çdo herë që kemi punuar dhe vepruar bashkërisht, kemi shënuar progres, kemi shënuar sukses, dhe ai sukses edhe është rezultuar në terren dhe ka rezultuar në të mirën e njerëzve të Kosovës. Kështu ka qenë edhe në Rambuje, kështu ka qenë edhe në procesin e Vjenës, dhe mendoj që tash pasi jemi në një fazë të rëndësishme të marrëveshjes historike me Serbinë, mendoj që do të ishte në interes që përsëri, bartësit e institucioneve, gjithë spektri politik i interesuar të participojë, gjithashtu shoqëria civile, personalitetet me ndikim në opinionin publik, mediat, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të bëhemi të gjithë së bashku dhe të punojmë bashkërisht për përmbylljen e këtij procesi, që do të nënkuptonte anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB edhe në mekanizma të tjerë euroatlantikë. Prandaj, mendoj që të gjithë janë të interesuar që këto çështje të lëvizin më shpejt, më mirë dhe bashkërisht të mund të organizojmë definitivisht këto objektiva që janë jetike dhe historike për vendin tonë.

Radio Evropa e Lirë: Së fundit, Qeveria e Kosovës ka tërhequr kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, a ishte ky reflektim i mungesës së mbështetjes ndërkombëtare?

Hashim Thaçi: Unë nuk kam ndonjë informatë apo raport zyrtar rreth aplikimit por edhe rreth tërheqjes eventuale për çka flisni ju. Do të informohem në detaje dhe më pas do të jap opinionin tim zyrtar. Por ajo që mund të them është se Kosova do të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë dhe është rrugë e pandalshme. Por, për gjithçka do të duhet të ketë një analizë të qartë dhe të ketë një përgjegjësi të lartë shtetërore edhe në rast të aplikimit dhe angazhimeve, por edhe në përpjekjet tona finalizuese për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë. Kosova meriton të jetë pjesë edhe e INTERPOL-it dhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë dhe kjo gjë do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë vizitës suaj në Nju Jork, sa keni arritur t’i takoni përfaqësuesit e shteteve dhe sa po arrini të afirmoni çështjen e njohjeve të reja, të domosdoshme edhe për t’i siguruar Kosovës një vend në OKB?

Hashim Thaçi: Kosova definitivisht do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në një proces që duhet të punojmë edhe më tutje. Për fat të keq ende Rusia e mban pozicionin e vet në raport me Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Por, pjesëmarrja jonë në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është mundësi e mirë që të bisedojmë me shtete që e kanë njohur Kosovën, për t’i falënderuar dhe të ruajnë vëmendjen për Kosovën. Po ashtu të diskutojmë me shtete që janë në proces të njohjes, që ta përshpejtojnë procesin e njohjes, por edhe me vendet hezituese me vendet refuzuese, për t’i sqaruar domosdoshmërinë në të mirën e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG