Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, takoi të martën presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Ata vazhduan diskutimet për fazën e re të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën që ka lëshuar Zyra e zonjës Mogherini.
“Ata gjithashtu shqyrtuan përparimin e bërë në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, e cila do të hyjë në fuqi plotësisht më 17 tetor, siç është rënë dakord në takimin e tyre të fundit”, thekson komunikata.
E njëjta bën me dije se Mogherini ka mirëpritur, siç thuhet, përkushtimin e të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe ka kujtuar se përparimi i të dy vendeve në agjendën e integrimit në BE lidhet shumë me përparimin në dialog.