Ndërlidhjet

Haradinaj: S’ka improvizime, Qeverinë e formojmë ne


Haradinaj: Qeverinë e formojmë ne
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:10 0:00

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj, thotë se nuk do të lejohen improvizime dhe se Qeverinë do ta formojë koalicioni që i ka fituar zgjedhjet.

Ai beson se Qeveria e re do të formohet një javë pas certifikimit të rezultateve dhe beson se ka një traditë të bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila mund të vazhdojë edhe në qeverisjen e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, ju jeni kandidat për kryeministër i një koalicioni që ka dalë fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit. Por, mandatet e fituara në Kuvend, sikur nuk ju garantojnë formimin e Qeverisë pa një koalicion të ri. Si do të veproni në këtë rast?

Ramush Haradinaj: Tash jemi në pritje të rezultatit final, por afërsisht dihet numri i deputetëve të koalicionit tonë. Kushtetuta jonë parasheh edhe rolin e komuniteteve e të gjithëve në Qeveri. Po ashtu do të diskutojmë, do të konsultojmë edhe organizime politike ose parti politike shqiptare për ndërtimin e Qeverisë.

Radio Evropa e Lirë: Do të diskutoni apo keni filluar diskutimet për një koalicion të ri?

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga radhët e PAN
Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga radhët e PAN

Ramush Haradinaj: Tani kuptohet, komunikimi ekziston dhe është i vazhdueshëm, por ato zyrtaret duhet të ndodhin kur përmbyllet certifikimi i rezultatit dhe pasi të marrë nominimin zyrtar, por po, jemi në punë e sipër këto ditë.

Radio Evropa e Lirë: I bëni ftesë ndonjërit prej subjekteve politike nga koalicioni i LDK-së me AKR-në dhe Alternativën që të bëhen pjesë e Qeverisë tuaj eventuale?

Ramush Haradinaj: Unë kam pasur një traditë bashkëpunimi më LDK-në nga Qeverisja në të kaluarën në kohën e koalicionit me presidentin Rugova. Jam i hapur për të biseduar me ta. Pra, është e mundshme.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj e dimë se si kanë qenë raportet në të kaluarën, por po flasim tash për tash, sot për sot?

Ramush Haradinaj: Nuk mund ta precizoj nëse është ftesë, por ne jemi në përgatitje e sipër të marrëveshjeve potenciale me partnerët. Pra, unë kam një traditë pune me LDK-në nga e kaluara. Kemi një komunikim, ta quaj ashtu ,të hapur dhe është e mundshme, por nuk mund ta paragjykoj kaq herët ose si do të shkojë rrjedha.

Radio Evropa e Lirë: Me Vetëvendosjen, jeni të gatshëm të shkoni në koalicion?

Ramush Haradinaj: Njihemi edhe me ta po ashtu. Me siguri do të komunikoj edhe me ta që të shohim si është perspektiva e punëve në të ardhmen. Mirëpo, ju thash që jemi në nivel punë që votuesit kanë vendosur kush është fitues i zgjedhjeve. E kemi numrin e caktuar të deputetëve, i kemi komunitetet që në bazë të Kushtetutës e kanë rolin e vet kushtetues edhe në Qeveri edhe në Parlament, do të diskutojmë edhe në organizimin e politikës shqiptare, por s'dua ta precizoj si do të rrjedhë.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, ju nuk keni diçka konkrete aktualisht, sa i përket asaj se si do të duket Qeveria e ardhshme?

Ramush Haradinaj: Unë kam diçka konkrete, por nuk e kam ende për ta lajmëruar për opinion. Por, ajo që mund t'i siguroj qytetarët e vendit është se në një afat të shkurtër kohor pas nominimit zyrtar, pas certifikimit të rezultateve, mendoj në më pak se një javë, do të formojmë qeverinë e vendit.

Radio Evropa e Lirë: Të martën, ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje u deklarua se ai do të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së ardhshme. Si e shihni ju pretendimin e Albin Kurtit?

Ramush Haradinaj: Nuk e marrë në shqyrtim atë që ai e thotë. Proceset janë të qarta. Dihet se si rrjedh procedura. Ne e kemi bërë një përvojë nga e kaluara. Pra, nuk kemi mundësi që të krijojmë improvizime që bllokojnë e as improvizime që e vonojnë Kosovën. Nuk do të bëjmë më improvizime, jemi serioz në punë. Pra, mandatin që na është dhënë nga qytetari, do ta zbatojmë.

Radio Evropa e Lirë Pra, ju nuk parashikoni ndonjë afat të gjatë kohor për formimin e Qeverisë?

Ramush Haradinaj: Jo, nuk do t’i humbim kohë vendit. Pra, në afatin më të shkurtër kohor do të veprojmë me Qeverinë.

Radio Evropa e Lirë: Përafërsisht kur i bie?

Ramush Haradinaj: Një javë nga certifikimi, por certifikimin final e bën KQZ-ja. Në momentin kur ata kryejnë punë, ne brenda javës do të jemi të gatshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG