Avokati i Popullit: Tri ankesa për parregullsi
Gjatë ditës së sotme në Zyrat e Institucionit të Avokatit të Popullit, janë paraqitur tri ankesa për parregullsi në procesin zgjedhor.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se një ankesë është paraqitur në Zyrën qendrore në Prishtinë dhe dy të tjera në zyrën rajonale në Mitrovicë.
Institucioni i Avokatit të Popullit, për herë të parë gjatë procesit të votimit, ka mbajtur të hapur Zyrën qendrore dhe ato rajonale, me qëllim të pranimit të ankesave eventuale nga qytetarët.
Votimi me letërnjoftime të Serbisë është i lejuar
Votimi me letërnjoftime të Serbisë, në situata specifike, është i lejuar edhe në Kosovë. Në komunat veriore të Kosovës janë shënuar votime me dokumente serbe.
Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit KQZ-ës, Enis Halimi ka thënë se “të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët gjenden në listat e votuesve, kanë të drejtë që si dokument identifikimi t’i përdorin dokumentet që parashihen sipas ligjit dhe që janë të saktësuara edhe me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
Serbët në veri votojnë me letërnjoftime të Serbisë
Serbët e veriut të Kosovës po votojnë pa u penguar në komunat Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, me letërnjoftime të vendbanimeve në Kosovë, të cilat i lëshon Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Serbisë.
Te gjithë ata që kanë letërnjoftimet e lëshuara nga Republika e Serbisë mund të votojnë pa probleme në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të cilat po mbahen edhe në këto dy komuna në veri të Kosovës.
Ngjashëm edhe në dy komunat tjera, Leposaviq dhe Zubin Potok, qytetarët thonë se kanë votuar pa probleme me letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia.
Delawie i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se është i kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në një postim në Twitter, Delawie ka përgëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Facebook Forum