Ndërlidhjet

Koment: Një kujtim i dhimbshëm se SHBA-ja është në luftë në Siri


Siri -- Luftëtarët amerikanë në qytetin verior Raqqa, 6 nëntor 2016
Siri -- Luftëtarët amerikanë në qytetin verior Raqqa, 6 nëntor 2016

Pasditën e të shtunës, më 31 gusht 2013, aeroplanët luftarak francezë janë ndezur në pista duke u bërë të gatshëm për luftë. Për presidentin francez, Francois Hollande, dita vendimtare kishte arritur: në orën 3 të mëngjesit, aeroplanët e tij do të nisnin sulmet ajrore kundër qendrave komanduese ndaj divizionit të katërt të ushtrisë siriane, njësisë më besnike të ushtrisë së Sirisë. Kjo njësi i ka nën kontroll edhe armët kimike.

Arsyeja: presidenti sirian, Bashar al Assad, kishte kaluar “vijen e kuqe” të presidentit amerikan, Barack Obama para 10 ditësh pasi dyshohej se kishte përdorur armë kimike në Ghouta, një lagje të Damaskut.

Armët dyshohet se janë përdorur kundër rebelëve që luftojnë kundër Assadit dhe civilëve, që si zakonisht bartnin pasojat e zemërimit të Assadit. Sipas Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, ky ishte rasti i tretë dhe më i rëndë i përdorimit të gazit sarin deri më atë datë.

Tani kishte ardhur koha që SHBA-ja dhe aleatët e saj të realizonin atë që e kishte thënë me fjalë presidenti.

Por, në minutën e fundit, Obama e telefonon Hollandin për t’i thënë se sulmet ishin ndaluar pasi ai paraprakisht dëshironte të merrte miratimin e Kongresit, para se të niste ndonjë aksion ushtarak. Fjala ishte për një miratim që ai me siguri e dinte se nuk do e siguronte. Në momentin më të fundit, ai e kishte ndryshuar qasjen.

Ky zhvillim ndoshta nuk ka qenë në tërësi befasues. Një parim kyq i fushatës së parë presidenciale të Obamës ka qenë tërheqja e SHBA-së nga aventurizmat e saj të përgjakshme dhe të kushtueshme në Lindje të Mesme.

Ky ishte një premtim që është pranuar mirë nga publiku amerikan i cili ka qenë në luftë prej vitit 2001 pas intervenimit në Afganistan dhe okupimit të Irakut në vitin 2003.

Prej atëherë, Obama ka arritur që në masë të madhe ta mbajë vendin e tij jashtë Lindjes së Mesme megjithë futjen e rajonit në një kaos gjakatar ku Libia, Iraku dhe Siria janë shpërbërë derisa militantët e grupit Shteti Islamik kanë arritur të kapin titujt kryesor të mediave përmes vrasjeve.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore kundër caqeve të IS-it në Siri dhe Irak, derisa në terren ka “këshilltarë” që ndihmojnë Forcat e Sigurisë së Irakut dhe disa grupe të tjera që po luftojnë kundër IS-it në Siri.

Por, megjithë refuzimin e dukshëm të Shtëpisë së Bardhë që të përfshihet në betejë në terren, përfshirja e SHBA-së mund të shkojë më thellë se sa e besojnë shumë amerikanë. Gjatë këtij muaji një mjet i improvizuar shpërthyes e ka vrarë një teknik ushtarak amerikan që merret me rrezikun nga bombat në qytezën e Ain Issa, gati 60 km nga de fakto kryeqyteti i kalifatit të vetshpallur të Shtetit Islamik.

Oficeri i lartë amerikan, Scott C. Dayton u bë ushtaraku i parë amerikan që vritet në Siri dhe i pesti që vritet në luftën kundër IS-it, prej vitit 2015.

Shumë amerikanë, veçanërisht ata që kanë prirje izolimi, i frikësohen IS-it si kërcënim global i terrorizmit dhe për këtë përkrahin fushatën ajrore kundër grupit ekstremist. Por, të njejtit e nënvlerësojnë kërcënimin e IS-it në Siri. Ky është gabim.

Ushtarët amerikanë janë vërtetë të përfshirë në luftimet që po zhvillohen në terren. Djemtë dhe vajzat amerikane në Siri janë personalisht në rrezik nga Shteti Islamik, një fakt ky që deri më tash është nënvlerësuar në diskutimet publike.

Siç vlerëson Michael Weiss, redaktor i lartë në “Daily Beast” dhe autor i librit të sukseshëm “ISIS: Brenda Ushtrisë së Terrorit”: “Forcat Speciale Amerikane janë të përfshirë brenda grupeve rebele që e kanë përkrahjen e Pentagonit siç është grupi “Liwa al Mutasim” në Alepon veriore, aty ku kërcënohen nga rivalët islamist.

Detyra e tyre mund të jetë që të “këshillojnë” apo të ndihmojnë në thirrjen e sulmeve ajrore, por është naive të besosh se ata nuk janë përfshirë apo nuk do të përfshihen në luftime.”

Weiss vazhdon më tej: “Homologët e tyre në Siri kanë shkëmbyer zjarrë të drejtpërdrejtë me militantët (e IS-it) të cilët iu kanë zënë pritë forcave kurde (një nga incidentët tashmë ka rezultuar me vdekjen e një ushtari amerikan). Pentagoni mundohet ta mbulojë këtë duke përdorur terminologji të caktuar, por fakti është se: ushtarët amerikanë janë në terren, dhe të njejtit janë në gjendje aktive luftarake kundër (IS-it) dhe potencialisht kundër çdo pale armiqësore që ata mund të përballen”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton B. Carter i ka bërë jehonë pikës së shtruar nga Weiss, ndonëse terthorazi përmes një komunikate në lidhje me vdekjen e Daytonit:

“Jam thellësisht i mërzitur me lajmin në këtë Ditë të Falenderimeve që një prej anëtarëve të guximshëm të ushtrisë tonë është vrarë në Siri derisa na mbronte nga e keqja e ISIL-it”, ka thënë ai duke e përdorur një inicial tjetër të Shtetit Islamik (IS). “Ky është një kujtim i dhimbshëm i rreziqeve me të cilat përballen burrat dhe gratë tona në uniformë në të gjithë botën për të na mbajtur neve të sigurt”.

Janë rreth 500 trupa amerikane në Siri, ndërsa në muajin prill presidenti Obama ka dërguar 250 për t’ia shtuar 50 ushtarëve që tashmë ishin në Siri.

Prej atëherë, ky numër është dyfishuar. Në muajin nëntor, Carter ka njoftuar se koalicioni i përkrahur nga amerikanët i kurdëve dhe forcave arabe që po luftojnë kundër IS-it, i njohur Forcat Demokratike Siriane, kanë nisur përpjekjet për rimarrjen e kontrollit mbi Raka.

Derisa forcat irakiane në të njejtën kohë iu kanë ofruar rimarrjes së kontrollit mbi Mosul, humbjet në të dyja betejat mund të sinjalizojë fundin e pretendimeve të kalifatit të supozuar.

Numri mund të jetë i vogël, dëshmitë për një ndryshim objektivi janë të qarta. Edhe në këtë pikë Weiss nuk lë paqartësi: “Ne jemi të përfshirë në terren”, thotë ai dhe shton:

“Ne kemi operativë të CIA-s në Irak dhe Siri dhe ushtarë amerikanë. Rreth 300 në Siri, në mes të 5 mijë dhe 6 mijë në Irak. Kjo nuk është tamam një okupim apo “rol i madh luftarak”, por termi ‘luftë’ përdoret në formë të një eufemizmi Orvelian që më sakt nxjerrë në pahë dëshirën e byrokracisë amerikane për të mohuar se po e bënë atë që saktësisht ju mendoni se po e bënë.”

Shtetet e Bashkura janë duke e luftuar IS-in në Siri dhe Irak, por refuzojnë të përdorin termin ‘luftë’. Dhe, derisa IS-i po humbet çdo herë e më shumë në të dy vendet, grupi militant do të bëhet më i dëshpëruar dhe më i dhunshëm. Metodat tradicionale të luftës do t’i zëvendësojë me taktika të kryengritjes. Do të ketë më shumë kurthe dhe mjete të improvizuara shpërthyese kundër grupeve e forcave që po i luftojnë dhe më shumë ushtarë amerikanë mund të vdesin.

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka premtuar se do e bombardojë masivisht IS-in, ndërsa është zotuar edhe për “ekzaminime ekstreme” të myslimanëve që udhëtojnë drejt SHBA-së apo janë immigrant potencial në SHBA nga frika se janë të infiltruar në terrorizëm.

Por, këto qëndrime nuk ndihmojnë shumë për të trajtuar realitetin në terren se IS-i paraqet një kërcënim jo vetëm si një grup militant i përhapur në tërë botën që mund të nxisë krime në tokën amerikane, por gjithashtu edhe si kërcënim ushtarak ndaj ushtarëve amerikanë që tashmë po luftojnë në Siri.

Pavarësisht asaj që disa e kundërshtojnë këtë, Amerika është sërish duke marrë pjesë në një luftë në Lindje të Mesme.

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG