Ndërlidhjet

Shqiponja dykrerëshe, në zemrat e shqiptarëve në Kosovë


Festa e Flamurit në Prishtinë
Festa e Flamurit në Prishtinë

Flamuri kombëtar shqiptar, po mbizotëron edhe sot sheshet dhe rrugët kryesore të qyteteve në Kosovë, kur po shënohet 28 nëntori, Dita e Flamurit kombëtar.

Ky flamur, i cili është flamur shtetëror i Shqipërisë, vazhdon të valojë si në manifestimet që organizohen për këtë ditë, ashtu edhe në homazhet dhe përkujtimet në të cilat marrin pjesë edhe vet krerët e shtetit të Kosovës.

Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Kosova tashmë ka flamurin e saj shtetëror. Megjithatë, sipas njohësve të sjelljeve dhe zhvillimeve shoqërore, shqiptarët e Kosovës ende nuk kanë arritur ta krijojnë në mënyrë të njëjtë lidhjen emotive me flamurin e tyre shtetëror, sikurse që e kanë me flamurin kombëtar.

Sociologu Shemsi Krasniqi, profesor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se shqiptarët e Kosovës janë të lidhur në mënyrë emotive me flamurin kombëtar, për faktin se është simboli me të cilin janë identifikuar shqiptarët, kudo që jetojnë në botë.

“Ai (flamuri kombëtar) është mishëruar në mentalitetin, kulturën dhe shpirtin e shqiptarëve dhe nuk ka qenë e pritshme që në një moment ose në një datë të caktuar të hiqet dorë prej tij. Kjo as nuk ka qenë dhe mendoj që as nuk është e pritshme që, e madje as nuk është e arsyeshme që të pritet një gjë e tillë”.

Profesori i historisë, Frashër Demaj nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se flamuri kombëtar shqiptar daton që nga Principata e Kastriotëve, gjegjësisht, Gjon Kastriotit dhe të birit të tij, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që nga shqiptarët njihet si hero kombëtar i mesjetës.

“Duke qenë se shteti i Gjergj Kastriotit, i formuar në vitin 1444, përfshiu shumicën e territoreve të banuara me shqiptarë, atëherë shqiptarët, gjatë periudhës së Rilindjes kombëtare shqiptare, e marrin si simbolikë për të bërë unifikimin e të gjithë shqiptarëve nga të gjitha vendet, përkatësisht vilajetet e atëhershme".

"Prandaj, u vendos që flamuri i Skënderbeut të simbolizonte flamurin e popullit shqiptar, përkatësisht shtetit kombëtar shqiptar që po ndërtohej e që filloi ngjizja e parë praktikisht që nga koha e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, për tu përfunduar me 28 nëntor të vitit 1912", tha Demaj.

Por, si e shohin flamurin kombëtar disa qytetarë shqiptarë të Kosovës?

Besa Caka thotë se shënimi i Ditës së Flamurit kombëtar në Kosovë është tradicional dhe gjeneratat e deritashme kanë qenë të lidhura emocionalisht me shënimin e kësaj dite.

“Ne të gjithë jemi rritur me këtë flamur. Nuk është se nuk e duam flamurin e Kosovës, sepse gjithmonë e duam dhe e respektojmë. Por, është ai flamur ‘kuq e zi’ që prindërit tanë na kanë rritur me dashurinë për këtë flamur dhe sigurisht që gjithmonë është i mirëseardhur 28 Nëntori. Po besoj që do të jetë edhe për gjeneratat e reja që do të vijnë”.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe Ali Mehani.

“Ky flamur është i tërë kombit shqiptar. Ne e kemi edhe flamurin e shtetit të Kosovës. Nuk ka asgjë të keqe, dy shtete, dy flamuj. Por, për çështje kombëtare, për këtë flamur është derdhur shumë gjak dhe kanë dhënë njerëzit gjënë më të çmueshme, jetën”.

Sociologu Krasniqi thotë se me ngjyrat kuq dhe zi të flamurit kombëtar të shqiptarëve, korrespondojnë edhe ngjyrat e kostumeve popullore, gjë që tregon integrimin e tij në kulturën dhe shpirtin e kombit si tërësi.

Sipas tij, në dizajnin e flamurit të Kosovës, nuk janë përfshirë ngjyrat dhe simbolet kombëtare shqiptare, për shkak të kontekstit në të cilin është gjendur Kosova në kohën e shpalljes së pavarësisë së saj.

“Për ta krijuar një lidhje të fortë emocionale, mendoj që duhet të kalojë ende kohë. Lidhjen më të fortë emocionale e krijon vet shteti, duke funksionuar ashtu siç duhet. Në qoftë se bartësit e posteve të larta ose drejtuesit e shtetit nuk abuzojnë me shtetin, nuk e keqpërdorin shtetin për qëllime personale, atëherë dashuria, jo vetëm ndaj vendit dhe shtetit, por edhe ndaj flamurit, rritet”.

Profesor Demaj, vlerëson se është e natyrshme që shqiptarët e Kosovës janë shpirtërisht të lidhur me flamurin kombëtar, por sipas tij, kjo nuk nënkupton cenimin në asnjë mënyrë as të flamurit e as të shtetit të Kosovës.

“Thjeshtë, njerëzit ndjehen shqiptarë dhe kanë simbolikën që i bashkon gjithë shqiptarët. Pra, është flamuri kuq e zi që i bashkon gjithë shqiptarët. Pastaj, është flamuri shtetëror, që unë besoj që kosovarët e respektojnë, sepse e respektojnë shtetësinë e tyre”.

Profesor Demaj, thekson se lidhja shpirtërore e shqiptarëve të Kosovës nuk është zbehur as në kohën e regjimit të kaluar, kur Serbia ka ushtruar dhunë mbi shqiptarët.

“Ata (shqiptarët e Kosovës) madje e kanë fshehur edhe në palën e rrobave të tyre, të familjarëve, në pajën e nuseve. Por, e kanë ruajtur. Nuk janë lejuar që të bëjnë shfaqjen e tyre në rastin e festave kombëtare, por gjithsesi ata kanë bërë festë në shtëpitë e tyre, duke improvizuar ambiente, por gjithmonë duke respektuar flamurin kombëtar, që është diçka e shenjtë për të gjithë shqiptarët”.

Më 28 nëntor, 104 vjet më parë, Shqipëria kishte shpallur pavarësinë e saj.

Flamuri me sfondin e kuq, mbi të cilën qëndron shqiponja e zezë dykrerëshe, është pranuar nga shqiptarët kudo në botë, jo vetëm si flamur shtetëror i Shqipërisë, por edhe sot ai përjetohet si simboli kryesor kombëtar për shqiptarët kudo që janë. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG