Ndërlidhjet

Dështon debati parlamentar për Astrit Deharin


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e shumicës së deputetëve për të thirrur debat parlamentar në lidhje me vdekjen e aktivistit të saj në burgun e Prizrenit, Astrit Dehari.

Me gjithë insistimin e Vetëvendosjes, që fillimisht debati të thirret në një seancë të jashtëzakonshme, nuk u arrit mbledhja e 40 nënshkrimeve të deputetëve.

Kurse gjatë seancës plenare, e cila ishte vazhdim i mbledhjes nga java e kaluar, Vetëvendosje nuk mori mbështetje për këtë debat, ngase në sallë ishin vetëm 45 deputetë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se Astrit Dehari vdiq në burg, në rrethana të pasqaruara dhe se organet përgjegjëse duhet të japin përgjegjësi. Sipas tij, dështimi i debatit në Kuvend ka dëshmuar dështimin e këtij institucioni që të merret me një çështje kaq të rëndësishme.

“Ky Kuvend këtu dështoi edhe sot që të ngritet në nivel të detyrës që si institucion përfaqësues i qytetarëve, ku ne pretendojmë se i përfaqësojmë këta qytetarë, nuk diskutojmë gjënë më të rëndësishme dhe më të preokupuar sot në mendjen, zemrat edhe sytë e qytetarëve. Pra, vdekjen e një studenti, një të riu, djali, një burri, një kapaciteti të jashtëzakonshëm në burg nën mbikëqyrjen e shtetit, ku qartazi ai nuk kishte siguri”, ka thënë Ymeri.

Një përgjigje në lidhje me ketë rast kishte edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili tha se nuk ka presione mbi deputetët që të mos debatojnë, por tha se të priten rezultatet e ekspertizës para se të dilet me qëndrime politike.

“Politika nganjëherë është teatër, por nuk është mirë në momentet kur ka tragjedi të rënda që t’i shndërrojmë në teatër për përfitime mbi një tragjedi të cilës institucionet e Republikës së Kosovës do t’i shkojnë deri në fund. Askush nuk duhet të frikësohet nga e vërteta, e vërteta do të del në shesh – ajo e cila është”, ka deklaruar Veseli.

Gjatë debatit rreth propozimit të Vetëvendosjes për seancë kushtuar Astrit Deharit, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti tha se duhet të priten rezultatet e hetimeve e pastaj të debatohet për këtë rast.

“Duhet t’ia lëmë forenzikës dhe duhet të marrim përgjegjësi të plotë për vdekjen në përputhje me rezultatet që dalin. Ne nuk duhet të paragjykojmë. Ne duhet të kemi kujdes nga familja. Ne e bëjmë politikën, por jo drejtësinë. Ti presim rezultatet”, ka theksuar Pajaziti.

I të njëjtit mendim ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.

“Ne kërkojmë që të dalin rezultatet dhe mbi bazën e rezultateve dhe dokumenteve ne nuk i ikim gatishmërisë (për debat). Sot ne nuk shohim mundësi të ketë një debat të tillë, dhe një rasti që është nën hetim”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, debati u mbështet nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj dhe ai i partisë Nisma, Zafir Berisha.

Në shenjë proteste, deputetët e Vetëvendosjes dolën në ballë të sallës me një pankartë në duar, ku shkruante “Drejtësi”. Më pas, Vetëvendosje dhe dy subjektet tjera opozitare, AAK dhe Nisma, lëshuan sallën.

Astrit Dehari ka vdekur në rrethana ende të pasqaruara në burgun e Prizrenit më 5 nëntor.

Aktualisht mjekësia ligjore nuk ka publikuar rezultatet finale të ekspertizës, ku po marrin pjesë edhe ekspertë të angazhuar nga familja Dehari. Kjo e fundit, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje ka akuzuar autoritetet shtetërore për vdekjen e tij.

Ndërkohë, prokurori i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë tashmë se rezultatet e para flasin se Astrit Dehari vdiq nga asfiksia – zënia e organeve të frymëmarrjes. Por, tani u mbetet organeve kompetente ta thonë se në çfarë rrethanash dhe si erdhi deri te asfiksia e Deharit, që çoi në vdekjen e tij. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG