Ndërlidhjet

Qytetarët kërkojnë drejtësi për Astrit Deharin


Protesta "Drejtësi për Astritin"
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

Protesta "Drejtësi për Astritin"

Me moton, "Drejtësi për Astritin”, në Prishtinë u mbajt një protestë qytetare, e organizuar nga shoqëria civile, përmes së cilës është kërkuar sqarimi i rrethanave që çuan në vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor.

Në këtë protestë morën pjesë edhe përfaqësues të Lëvizjes “Vetëvendosje”, familjarë të Astrit Deharit dhe përfaqësues të medieve, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të marrin përgjegjësi për vdekjen e Deharit.

Besa Luzha, përfaqësuese nga shoqëria civile, ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të marrin përgjegjësi për vdekjen e Deharit. Sipas saj, Dehari ka vdekur në një institucion shtetëror ku është dashur të jetë i sigurt.

Luzha ka thënë po ashtu se i gjithë stafi i burgut duhet të jap përgjegjësi, ngase, siç ka deklaruar ajo, është e pafalshme që në Kosovën demokratike të ndodh kjo padrejtësi.

“Ne si qytetarë po kërkojmë drejtësi për bashkëqytetarin tonë. Prej sot, si qytetarë nuk do të ndalemi. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mënyrat që i kemi të garantuara edhe me Kushtetutën e Kosovës."

"Me peticione, me nënshkrime, për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, nëse nuk e kryen detyrën. Kërkojmë menjëherë që të gjithë ata që kanë qenë në zinxhirin hierarkik atë ditë të kobshme, të merren menjëherë në përgjegjësi”, ka thënë Luzha.

Ditë më parë edhe familja Dehari kishte ngritur dyshime rreth vdekjes së Astritit, duke kërkuar ekspertizë gjithëpërfshirëse.

Ndryshe, rezultatet e para preliminare të autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, në një ekip të përzier, ku ishin të pranishëm dhe mjekë ligjorë, të angazhuar nga familja e të ndjerit, flasin për mundësinë që Dehari të ketë vdekur nga asfiksia – zënia e organeve të frymëmarrjes.

Avokati i kësaj familje, Tomë Gashi, pjesëmarrës në protestë, ka thënë se janë bërë nëntë ditë që nga vdekja e Astrit Deharit dhe nuk ka rezultate përfundimtare.

“Unë besoj se rezultatet do ta thonë të vërtetën. Nëse shteti apo pushteti don të jetë i vërtetë në mbrojtjen e jetëve të të gjithë atyre që i dërgon pa asnjë provë në burg. Shteti është përgjegjës për vdekjen e tij dhe shteti thjesht nuk e ka ruajtur atë", ka thënë Gashi.

Sqarimin e rrethanave që çuan në vdekjen e Astrit Deharit e kanë kërkuar edhe kryeministri, qeveria dhe partite tjera opozitare në Kosovë.

Astrit Dehari, i cili ishte aktivist i Lëvizjes “Vetëvendosje”, po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulm me granatë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, që ndodhi në gusht të këtij viti.

Më 5 nëntor, ditë e shtunë, ai ka vdekur në rrethana të pasqaruara në burgun e Prizrenit. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG