Ndërlidhjet

I jepet lamtumira Astrit Deharit - kërkohet drejtësi


Astrit Dehari
Astrit Dehari

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot një mbledhje komemorative kushtuar aktivistit të saj, Astrit Dehari. Ai vdiq të shtunën në rrethana ende të pasqaruara në qendrën e paraburgimit në Prizren. Të pranishëm në komemoracion ishin edhe familjarët e Astrit Deharit.

Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se i ndjeri Dehari ishte arrestuar dhe paraburgosur përmes rastit të montuar. Lidhur me vdekjen e tij, Ymeri tha se drejtësia duhet të sillet në vend, duke akuzuar drejtpërdrejt autoritetet shtetërore.

“Nuk do të lëmë gur pa lëvizur për ta sjellë drejtësinë në vend edhe për Astritin, e veçanërisht për Astritin. Nuk do të pajtohemi kurrë. Regjimi i instaluar në Kosovë ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vdekjen e Astritit dhe për këtë do të përgjigjen. Drejtësia do të vendoset. Këtë drejtësi e kërkon Astriti. Në këtë drejtësi insistojmë edhe ne”, ka thënë Ymeri.

Avni Dehari, babai i të ndjerit Astrit Dehari, ka kërkuar që të sqarohen rrethanat e vdekjes së Astritit.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se ata që të bën që të mos jesh më fizikisht në mesin tonë, deshën të ta bëjnë vdekjen të heshtur. Madhështia jote shpërtheu grilat e burgut, si etër, u përhap nëpër të gjithë Kosovën, nëpër të gjitha viset shqiptare”, ka thënë Avni Dehari.

Menjëherë pas mbledhjes komemorative, mijëra studentë dhe qytetarë kanë marrë pjesë në parakalimin që është quajtur “marshin protestues për drejtësi”, i organizuar nga organizatat studentore të Universitetit të Prishtinës, me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Ata kanë parakaluar që nga hapësira e Universitetit të Prishtinës, përgjatë sheshit “Nëna Terezë”, për të bërë më pas homazhe dhe për ngushëlluar familjen Dehari, në sheshin “Skënderbeu”.

Varrimi i të ndjerit Astrit Dehari është bërë sot në Prishtinë.

Mijëra vetë në homazhet dhe varrimin e Deharit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:41 0:00

Lamtumira i është dhënë nga familjarët, kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mijëra qytetarë. Lamtumira, me mjaft emocione, i është dhënë edhe nga i kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Sot jemi mbledhur që ta përcjellim Astritin, së bashku. Jemi të pikëlluar që e humbëm, por jemi të gëzuar që e patëm. Astrit... fli i qetë. Nuk do të ndalemi deri sa ta çojmë drejtësinë në fund, t’i gjejmë fajtorët dhe ta ndjekim drejtësinë deri në fund”, ka thënë Ahmeti.

Astrit Dehari po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulm me granatë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, që ndodhi në gusht të këtij viti.

Gjatë ditës së hënë, kryeministri dhe Qeveria e Kosovës kanë kërkuar që të zhvillohet ekspertizë e pavarur për sqarimin e rrethanave që çuan në vdekjen e Astrit Deharit.

Në anën tjetër, familja Dehari kishte ngritur dyshime rreth vdekjes së Astritit, dhe ka kërkuar ekspertizë gjithëpërfshirëse.

Po ashtu, gjatë ditës së hënë, një ekip i përzier, ku ishin të pranishëm dhe mjekë ligjor të angazhuar nga familja e të ndjerit, ka bërë autopsinë e kufomës së Deharit.

Rezultatet e para, preliminare të autopsisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, flasin për mundësinë që Dehari të ketë vdekur nga pengesat në organet e frymëmarrjes.

Pas përfundimit të autopsisë, duke u bazuar në rezultatet preliminare dhe jo përfundimtare, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ka thënë se “vdekja është shkaktuar nga asfiksia, zënia e rrugëve të frymëmarrjes”.

Sipas tij, Prokuroria në Prizren tashmë ka nisur hetimet rreth kësaj vdekjeje, por deri më tash, nuk ka të dyshuar. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG