Erdogan uron Trumpin
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se shpreson se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presdienciale të SHBA-së do të çojë drejt hapave pozitivë për Lindjen e Mesme dhe për të drejtat themelore, demokracinë dhe liritë në botë.
Tronditet bursa botërore, rënie e vlerave të aksioneve
Fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale ka tronditur bursat botërore, me rënien dramatike të vlerave të aksioneve dhe me frikën e investitorëve për paqartësinë në sektorin financiar, migracionin dhe tensionet gjeopolitike.
Në një moment indekset e Dow Future ranë për më shumë se 4 për qind, kurse indeksi më i madh japonez ra për më shumë se 6.1 për qind, rënia më e madhe e shënuar ndër vite.
Vlerat e aksioneve në SHBA ranë deri në 5 për qind në një moment, më keq se sa rënia pas vendimit të Britanisë për t’u larguar nga BE-ja.
Republikanët kontrollojnë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve
Partia Republikane ka mbajtur kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit amerikan në zgjedhjet e 8 nëntorit, duke ruajtur shumicën, gjë që mund të sjell fuqi të konsiderueshme legjislative për presidentin e sapozgjedhur nga radhët e republikanëve, Donald Trump.
Kjo ishte një nga fushatat më përçarëse në historinë moderne të politikës amerikane.
Republikanët mbrojtën ulëset e Senatit në shtete si Pensilvania, Karolina e Veriut, Florida dhe Nju Hempshir, ku një pjesëmarrje e konsiderueshme e demokratëve kishte potencialin që të shkonte kundër kandidatëve të tyre.
Por, në vend të kësaj, republikanët arritën të siguronin pragun prej 52 me 48, në dhomën e lartë prej 100 anëtarësh, një rënie prej dy ulësesh, por ende e mjaftueshme për të marrë vota të rëndësishme ndaj rivalëve të tyre demokratë.
"Pas tetë vitesh të administratës Obama, njerëzit amerikanë kanë vendosur për një drejtim të ri për vendim tonë. Presidenti i zgjedhur Trump ka një mundësi të rëndësishme që ta bashkojë sërish vendin", ka thënë udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, nga Kentaki.
"Kam shpresën dhe qëllimin që ne t'ia dalim me sukses në vitet në vijim, duke punuar së bashku me kolegët tanë, për të forcuar vendin tonë dhe sigurinë ekonomike", ka shtuar ai.
Republikanët arritën ta dominojnë edhe Dhomën e Përfaqësuesve, që përbëhet nga 435 ulëse, dhe kjo parti do ta mbajë edhe kontrollin e kësaj Dhome.
Zyrtarët evropianë urojnë Trumpin
Udhëheqësit e lartë të BE-së, Donald Tusk dhe Zhan Klod Junker, i kanë dërguar urime presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe e kanë ftuar për të vizituar Evropën.