Irani thotë se Trumpi duhet të qëndrojë prapa marrëveshjes bërthamore
Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, duhet të mbes i përkushtuar ndaj marrëveshjes bërthamore të nënshkruar ndërmjet fuqive botërore dhe Teheranit.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ishte zotuar se do ta "shkatërronte" marrëveshjen bërthamore, të cilën e quajti "një prej marrëveshjeve më të këqija që është negociuar ndonjëherë."
"Çdo president amerikan duhet ta kuptojë realitetin e botës sot", ka thënë Zarif, citon agjencia e lajmeve Tasnim.
'Më e rëndësishmja është që presidenti i ardhshëm amerikan të qëndrojë prapa marrëveshjes, për angazhimet e ndërmarra", ka thënë Zarif, i cili po realizon një udhëtim në Rumani.
Haradinaj uron popullin amerikan dhe presidentin Trump
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar popullin amerikan për zgjedhje të mira dhe për zgjedhjen e Presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump.
“Njëkohësisht urimet më të mira për Presidentin e ri Donald Trumop, me bindjen e thellë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën drejtimin e tij, do të vazhdojnë të jenë partner strategjik i Kosovës dhe i Ballkanit, në rrugëtimin drejt demokracisë perëndimore”, thuhet në urimin e Haradinajt.
Kosova e vogël do të vazhdojë të jetë një aleate dhe një mike e Amerikës së madhe, ka nënvizuar Haradinaj.
Po ashtu, ai i ka shprehur mirënjohje të thellë Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, një mike e madhe e Kosovës, për gjithë çfarë ka bërë për Kosovën.
Vuçiq ka uruar Trumpin
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka uruar Donald Trumpin për fitoren e madhe zgjedhore për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me shpresën që kjo fitore do të kontribuojë për vazhdimin në përparimin e marrëdhënieve bilaterale të dy shteteve.
Merkel uron Trumpin
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka uruar Donald Trumpin për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale dhe i ka ofruar bashkëpunim të ngushtë mbi bazën e vlerave të demokracisë, lirisë, respektit të ligjit dhe të dinjitetit të njerëzve, pavarësisht origjinës, ngjyrës së lëkurës, fesë, gjinisë, orientimeve seksuale ose pikëpamjeve politike.