Donald Trump apo Hillary Clinton?!
Shteti më i fuqishëm në botë zgjedh sot presidentin e ri, ndikimi i të cilit do të ndjehet në gjithë globin. Donald Trump apo Hillary Clinton?!
Sondazhet i japin përparsi të ngushtë kandidates demokrate, përballë rivalit të saj republikan.
Megjithatë, amerikanët nuk vendosin drejtpërdrejt se kush prej tyre do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. Është një sistem që quhet kolegji zgjedhor, i cili është krijuar qysh në vitin 1787 dhe ka fjalën e fundit.
Clinton dhe Trump janë dy nga kandidatët më të papëlqyer në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. Cilido që të zgjidhet, nuk do të jetë vetëm krytar shteti, por edhe udhëheqës i qeverisë dhe komandant i ushtrisë më të madhe në planet.
Shqetësim i të gjithëve është politika e tyre e jashtme.
Gjatë kohës sa ka qenë senatore dhe Sekretare e Shtetit, Clinton ka fituar reputacionin e një lidereje agresive në politikën e jashtme.
Ajo ka mbështetur luftën e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe ka qenë njëra nga mbështetëset më të zëshme në administratën Obama për fushatën ajrore të SHBA-së në Libi.
Clinton po ashtu ka bërë thirrje për një rol më të zgjeruar të SHBA-së në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri, përfshirë edhe vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit dhe armatosjen e rebelëve.
Trump ka kritikuar luftën në Irak dhe veprimet e tjera ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Ai ka bërë thirrje për marrëdhënie më të afërta me Rusinë e Vladimir Putinit.
Në ditët dhe javët pas zgjedhjeve – nëse vota është vendimtare – fituesi do të mbledhë kabinetin dhe do të nisë përpilimin e një agjende më të plotë politike.
Me Kushteteutën e SHBA-së, presidenti inaugurohet më 20 janar të vitit pas zgjedhjeve
Si funksionin Kolegji Zgjedhor?
Kush është Hillary Clinton?
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka fituar nominimin presidencial të Partisë Demokratike në muajin korrik, pas një beteje të ashpër me senatorin e Vermontit, Bernie Sanders.
Clinton – gruaja e ish-presidentit Bill Clinton – është gruaja e parë e nominuar për presidente nga njëra prej dy partive më të mëdha politike në SHBA.
Gjatë fushatës së saj, ajo ka premtuar se do të rrisë të ardhurat për klasën e mesme, se do t’i bëjë universitetet më të përballueshme për studentët dhe do të do të përmirësojë “Obamacare” – një sistem i kujdesit shëndetësor që mban emrin e presidentit Barack Obama dhe që ka nisur në vitin 2010.
Clinton ka qëndrim të ashpër kundër veprimeve të Rusisë në Ukrainë dhe Siri, ku thirrja e saj, në kohën kur ka qenë sekretare e Shtetit, për më shumë prani të SHBA-së, është refuzuar nga Obama.
Ajo ka nxitur debate dhe kundërthënie mbi përdorimin e emailit privat derisa ka qenë në krye të diplomacisë amerikane. FBI, pas hetimeve, nuk ka ngritur ndonjë akuzë për keqbërje në muajin korrik. Drejtori James Comey ka thënë më 28 tetor se FBI po heton disa emaile të reja, por, më 6 nëntor, ka njoftuar se rishikimi nuk e ndryshon konstatimin fillestar.
Clinton ka shërbyer si sekretare e Shtetit në administratën Obama nga viti 2009 deri më 2013.
Ajo ka lindur në Çikago më 26 tetor të vitit 1947. Ka diplomë në shkencat politike nga Kolegji Ëellesley dhe nga Shkolla prestigjioze e drejtësisë Yale.
Clinton është martuar me Bill Clintonin më 1975 dhe kanë vajzën Chelsea.
Kush është Donald Trump?
Biznesmeni miliarder i Nju Jorkut dhe ish-ylli televiziv Donald Trump ka qenë fitues i befasishëm i nominimit republikan për president këtë verë.
Manjati i pasurive të patundshme ka habitur ekspertët politikë dhe zyrtarët e partisë me mundjen e 16 kandidatëve të tjerë dhe sigurimin e nominimit në muajin korrik.
Si fillestar politik, Trump ka kritikuar dhe fyer ashpër sfidantët e tij më me përvojë, përmes postimeve në Twitter dhe gjatë debateve.
Duke premtuar se do ta bëjë Amerikën “të madhe përsëri”, me krijimin e më shumë vendeve të punës dhe me uljen e taksave, Trump nuk ka dhënë shumë detaje mbi çështjet dhe ka ndryshuar shpesh qëndrimet e tij.
Trump është zotuar se do të ngrejë mur në kufirin SHBA-Meksikë për të penguar hyrjen e migrantëve të paligjshëm.
Trump po ashtu ka thënë se, nëse zgjidhet, do të praktikohet “verifikimi ekstrem” i migrantëve myslimanë, për të përcaktuar se kush prej tyre janë terroristë. Fillimisht, ai ka thënë se do t’i ndalojë të gjithë myslimanët nga hyrja në SHBA.
Trump, 70 vjeç, e ka cilësuar presidentin Barack Obama si lider të dobët dhe e ka fajësuar për, siç ka thënë, politika të dështuara në Siri dhe vatra të tjera të nxehta. Ai është po ashtu kritik i marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore me Iranin.
Trump e ka vlerësuar Clintonin si “sekretaren më të keqe të Shtetit” në historinë amerikane, ndërsa vazhdimisht e ka lavdëruar presidentin rus, Vladimir Putin, duke e cilësuar si “lider të madh”.
Trump, disa herë, ka treguar mungesë të njohurive mbi çështjet e jashtme. Duke folur në një intervistë muajin e kaluar, ai nuk e ka ditur se Rusia ka aneksuar me forcë gadishullin ukrainas të Krimesë.
Vlera neto e pasurisë së Trumpit llogaritet midis 3 miliardë dhe 3.7 miliardë dollarë.
Ai ka diplomuar në Akademinë private Ushtarake të Nju Jorkut dhe në Universitetin Fordham në Bronks.
Trump ka pesë fëmijë nga tri martesa.