Ndërlidhjet

Kuvendi dështon t'i drejtohet BE-së me deklaratën për liberalizimin e vizave 


Ilustrim
Ilustrim

Deputetët e partive politike në pushtet dhe ato të opozitës nuk kanë mundur të merren vesh rreth draft-deklaratës për liberalizim të vizave e cila parashihej t’i drejtohej Bashkimit Evropian.

Deklarata e propozuar në Kuvend është tërhequr nga rendi i ditës për shkak të mospajtimeve. Kjo deklaratë e përbashkët, ishte paralajmëruar se do t’i drejtohej Bashkimit Evropian me kërkesën që qytetarëve të Kosovës t’u hiqeshin vizat dhe të mos mbeten peng i vendimit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Por, si rezultat i mospajtimeve, pozita dhe opozita dolën me dy deklarata dhe për këtë arsye u hoq me konsensus nga rendi i ditës,

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se për faktin që nuk ka një konsensus rreth draft-deklaratës, çështja do të duhej të shtyhet për ndonjë rast tjetër.

Dallimet kryesore, gjatë debatit parlamentar, vëreheshin te pika për marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kriteri i fundit që Komisioni Evropian i ka vënë Kosovës para se të merret vendimi për heqjen e vizave.

Në mungesë të konsensusit rreth Demarkacionit, partitë në pushtet janë pajtuar që kjo pikë të fshihet dhe t’i adresohet BE-së vetëm kërkesa për liberalizim të pakushtëzuar.

Kurse opozita po insistonte që në deklaratë të thuhet që Demarkacioni do të rishqyrtohet në një proces të ri me Malin e Zi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti, tha se Kuvendi është dashur të nxjerrë një deklaratë të tillë, e cila sipas tij, do të ndihmonte në procesin e përshpejtimit të liberalizimit te vizave për Kosovën.

"Kjo nuk u arrit. Tash po e shoh se ka një deklaratë që ka ardhur edhe nga tri parti politike opozitare, është pikërisht ajo që nuk është dashur të ndodh. Sot është dashur në këtë kohë të nxirret një dokument i përbashkët. Ne mund ta votojmë deklaratën tonë, por nuk ka kuptim një deklarate e tillë”, ka thënë Pajaziti.

Një qëndrim të ngjashëm me PDK-në ka shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës përmes kryetarit të Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri. Ai tha se draft-deklarata do të ishte shprehje e vullnetit politik të partive parlamentare.

"Pasi që nuk ka koncesus, do të votojmë pro, që të hiqet nga rendi i ditës kjo deklaratë dhe të mos votohet asnjë propozim", tha Beqiei

Kurse, Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se deputetët e subjektit të tij pajtohen që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, por duke iu referuar takimit të së martës të liderëve, tha se koalicioni qeverisës nuk po dëshiron t’i harmonizojë qëndrimet me opozitën.

"Është pak e quditshme se si po pajtoheni e nuk po pajtoheni varësisht nga klima dhe moti. Por, sidoqoftë ne jemi dakord që të terhiqet kjo meqë nuk ka dakordancë dhe të mos votohet as një prej deklarateve dhe te vazhdohet tutje", tha Ymeri.

Kurse, sipas shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, dallimi i qëndrimeve është minimal.

"Më habit fakti pse per dy shkronja kaq shumë po debatojmë. Si shqyrtim, si rishqyrtim i procesit, është njejtë. Në këtë drejtim behuni pak tolerant. Edhe nëse doni të keni koncensus me opozitën, me te vërtetë kjo do të kishte me qenë për te mirën e qytetarëve", tha Lekaj.

Në draft-deklaratën të cilën e kishte prezantuar kryetari i Komisionit për punë të jashtme, Ilmi Reçica, thuhej se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

Por, opozitarët në fjalën e tyre thanë se nuk janë përmbushur këto kritere, ngase është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit për të cilin Qeveria nuk po punon për ta përmbushur si dhe Demarkacioni me Malin e Zi, për të cilin opozita ka kërkuar që të kthehet në pikën zero. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG