Debati në Kuvendin e Kosovës, për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u orientua në aktgjykime të shpallura të gjyqësorit, nga ekspertët juridik po shihet edhe si përpjekje për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Kujtim Kërveshi, jurist, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se çdo debat nga organet tjera vendimmarrëse të pushteteve të pavarura nga gjyqësori, është ndërhyrje në punën e drejtësisë.
“Parlamenti i Republikës së Kosovës do të duhej të diskutonte për situatën e gjithëmbarshme të sistemit të drejtësisë, që është katandisur si kurrë më parë, por nuk e konsideroj se i kontribuon sistemit të drejtësisë një debat për një rast të veçantë, sepse çdo diskutim rreth saj nga deputetët e Kosovës shihet si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”, thotë Kërveshi.
Kujtim Kërveshi rikujton se kjo nuk është hera e parë që institucionet e Kosovës - përmes debateve politike - kanë ndërhyrë në sistemin e drejtësisë. Ai konsideron se institucionet kanë probleme me pjekurinë politike dhe pjekurinë për të kuptuar pavarësinë institucionale.
“Nuk është hera e parë që institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë mësuar nga gabimet e mëhershme. Edhe një herë, një nga ish kryeministrat e Kosovës, pati komentuar në një rast të veçantë një aktgjykim të gjykatës dhe pastaj ka pasur reagime të institucioneve ndërkombëtare lidhur me komentimin që ka bërë ish kryeministri i Kosovës në lidhje me procesin gjyqësor”, thekson Kërveshi.
Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar seancë të jashtëzakonshme me temën: "Mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së”.
Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, pas konfirmimit të dënimit ndaj pjesëtarëve të gjykuar në rastin e njohur si “Drenica 1 dhe 2”, ku bëjnë pjesë kryesisht ish-udhëheqës të UÇK-së, përkatësisht figura politike të PDK-së.
Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndërhyrje në sistemin e drejtësisë konsiderohet kur flitet për raste konkrete, por jo në mënyrën si është zhvilluar debati në Parlament.
“Në Parlamentin e Kosovës po diskutohet për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ka qenë një luftë e drejtë, e pastër dhe nuk dominoi mendimi që të flitet për raste konkrete. Përndryshe, kur flitet për raste konkrete apo vendime konkrete, atëherë konsideroj se është ndërhyrje politike”, thekson Salihu.
Ndërhyrje në sistemin e drejtësisë - një debat të tillë politik - e ka konsideruar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Përmes një komunikate për media, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kërkuar nga subjektet politike që të përmbahen nga deklaratat lidhur me vendimet gjyqësore.
“Vlerësojmë se deklaratat e tilla dëmtojnë drejtpërdrejtë pavarësinë e gjyqësorit, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vendimet e gjykatës janë vendime të bazuara në ligj, andaj kushdo që kërkon ndërhyrje në këto vendime, bën ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe cenon punën e pavarur të gjyqësorit”, thuhet në një komunikatë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, drejtuar medieve.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka siguruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do t’i trajtojë ata në mënyrë të barabartë, pavarësisht përkatësisë etnike, racore, kombëtare, fetare, partiake, apo pozite në shoqëri dhe se do të vazhdojë të angazhohet për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm. (REL)
Facebook Forum