Mos zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe arrestimi i një zyrtari të lartë të Policisë së Kosovës kanë krijuar tensione dhe vështirësi në raportet ndërmjet ekipeve dialoguese të Kosovës dhe Serbisë.
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i tha Radios Evropa e Lirë se bisedimet me palën serbe gjithmonë kanë qenë të vështira, por kohët e fundit ato janë vështirësuar edhe më shumë, pas zhvillimeve të fundit.
"Në veçanti javën e kaluar ishim dëshmitarë se edhe pas 5 viteve të bisedimeve, pala serbe doli nga ajo që ishim marrë vesh, duke bërë kërkesa shtesë dhe që e pamundësoi arritjen e marrëveshjes për zbatim. Për mendimin tim kërkesat shtesë ishin vetëm sa për të bllokuar zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik. E dyta është pikërisht arrestimi i një zyrtari të lartë të policisë zotit Thaçi", deklaroi Tahiri.
Ministrja Tahiri theksoi se Serbia, duke u munduar të ketë juridiksion përtej kufijve të vet, po rritë tensione dhe brenda ekipeve dialoguese mes Kosovës dhe Serbisë.
"Për mendimi tim, kjo ishte si provokim edhe për bisedime që të dekurajojë delegacionin tonë, ndoshta që të bllokojmë bisedimet dhe për të arsyetuar Serbia veten që ajo është e gatshme, pra për të marrë poena para faktorit ndërkombëtar", deklaroi Tahiri.
Tensionet u rritën në veçanti pas arrestimit të drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, në vendkalimin kufitar në Konçul dhe vënies së masës së paraburgimit prej 30 ditësh nga një Gjykatë e Lartë në Nish të Serbisë.
Në Bruksel, ndërkaq, negociatorët serbë ‘bllokuan zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën’, thanë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Autoritetet në Prishtinë, ndërkaq, i ndaluan hyrjen në Kosovë drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, me arsyetimin, siç thanë zyrtarë të MPJ-së, “shpërdorim të lejes së qëndrimit”.
Ministrja Tahiri, ndërkohë, kërkoi nga garantuesit e bisedimeve që të ndërmarrin masa për, siç tha ajo, “sjelljet e Serbisë”.
"[Dialogu] si historik ka dhënë rezultate. Ato që po flasim, si tensionime, lidhen me këto ditët e fundit dhe zgjidhje për këtë është ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar. Në këtë rast, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të angazhohen më shumë, por edhe Bashkimi Evropian të angazhohet më shumë, sepse të dy partnerët janë garantues të këtij dialogu, kurse BE është edhe ndërmjetësuese", tha Tahiri.
Autoritetet në Beograd, ndërkaq, kanë fajësuar Prishtinën zyrtare për, siç thonë, “mosgatishmëri në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog”.
Mediat serbe kanë cituar drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të ketë akuzuar, siç thuhet, “përfaqësuesit në Prishtinë për pengim të lëvizjes së lirë”.
Ndërkohë, analistët në Kosovë thonë se dialogu "jo vetëm që mund të tensionohet, por ai nuk mund të ketë kurrfarë rezultati’ nëse, siç thonë ata, vazhdojnë arrestimet e qytetarëve të Kosovës”.
"Ngjarjet e javës së fundit dhe deklaratat tendencioze të përfaqësuesve serbë, kanë treguar se Serbia ngadalë po i kthehet gjuhës se vjetër, stilit të vjetër të politikës dhe kjo është shenjë e qartë drejt dështimit të dialogut", tha për Radion Evropa e Lirë, Artan Muhaxhiri.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë takuar së fundi javën e kaluar në Bruksel për të diskutuar çështjen e kodit telefonik të Kosovës, megjithëse, thonë analistët, përparimet në këtë fushë kanë qenë të vogla.
Takimet në nivelin e kryeministrave ende nuk kanë rinisur, sado që ishte paralajmëruar se mund të ndodhin së shpejti. (REL)
Facebook Forum