Dhjetëra nëna, motra, e familjarë të më shumë se 1,650 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, u mblodhën të shtunën në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë për të protestuar kundër zgjedhjes se ish-ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiq, në postin e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Nysrete Kumnova, nga shoqata "Thirrjet e Nënave", tha se zgjedhja e Jeremiqit si sekretar i OKB-se do të ishte zgjedhje kundër humanizmit dhe vlerave, mbi të cilat është krijuar kjo organizatë.
Bota demokratike, ka shtuar Kumanova, duhet t’i ndëshkojë kriminelët dhe jo t’i favorizojë ata.
“Konsideroj se shtetet anëtare të OKB-së duhet ta dinë mirë sa zemra digjemi për së gjalli në pritje prej 17 vjetësh, të eshtrave të më të dashurve tanë, derisa politika serbe loz me fatin tonë. Ju lutemi, juve delegatëve në OKB, mos e ngritni dorën ta votoni Vuk Jermiqin, por votën jepni për njerëzit meritorë që dinë dhe duan të punojnë për të drejtat e njerëzimit”, ka theksuar Kumnova.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Serbisë, Vuk Jeremiq, ka theksuar Kumnova edhe gjatë mandatit të tij si kryesues i OKB-së ka mbjell urrejtje kundër shqiptarëve, duke mbuluar krimet serbe në Kosovë.
Për më keq, Jeremiq, ka shtuar Kumnova, ka injoruar çdo familjar që ka kërkuar zbardhjen e personave, të cilët janë zhdukur gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
“Serbia, si pushtuese, ende nuk i ka zbuluar të gjitha varrezat me persona të zhdukur, duke tentuar t’i fshehë gjurmët e krimit, prandaj si e tillë duhet të deklasohet dhe të mos i pranohet as dhurohet as një post, qoftë edhe udhëheqja e OKB-së. Ne duam drejtësi, ne duam që në OKB të na udhëheqin njerëz human dhe kredibil dhe jo pasues të sistemit kriminel serb, si përgjegjës për krime luftë në Bosnje e Kosovë”, ka thënë ajo.
Organizatorët e protestës kanë treguar se do t’u dërgojnë një letër proteste të gjithë ambasadorëve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të kundërshtuar nominimin e Vuk Jeremiq për sekretar të Përgjithshëm të OKB-së.
Jeta Berisha, organizatore e kësaj proteste, ka lexuar pjesë të letrës që do t’i dërgohet OKB-së:
“Kosova do t’i bashkojë forcat me Srebrenicën dhe Zhepën, jo vetëm duke organizuar protesta të mëdha, por do të ndërpresë të gjitha bashkëpunimet që ka arritur me shumë punë dhe përkushtim me shtetin e Serbisë, Kosova do të bojkotojë të gjitha produktet dhe prodhimet që hyjnë nga shteti i Serbisë. Ne nuk jemi përfaqësues të partive politike. Ne jemi qytetarë të lodhur të politikave të Serbisë, ne jemi rinia e Kosovës, ne jemi zëri që po vdes për t’u dëgjuar”.
“Serbia ka vrarë njerëz në vendin tonë Serbia kurrë nuk është akuzuar që ka lënduar botën tonë, Serbia asnjëherë nuk e ka pranuar fajin e lërë më të kërkojë falje që ka kryer gjenocid në shtëpitë tona. Rinia e Serbisë nuk e njeh historinë e saj dhe sot rriten, edukohen shkollohen duke na njohur neve si pjesë të tyre, si rob të tyre”.
Protestës kundër zgjedhjes se ish-ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiq, në postin e sekretarit gjeneral të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i janë bashkuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ish-ministri i Jashtëm në Qeverinë e Serbisë, Vuk Jeremiq, është futur në garë të ngushtë për të pasuar sekretarin e deritashëm të OKB-së, Ban Ki Moon.
Në votimin e tretë joformal në Këshillin e Sigurimit të OKB-se, që u mbajt të hënën e kësaj jave, Jeremiq doli i treti me shtatë vota pozitive, pesë negative dhe tri vota pa opinion.
Në mesin e garuesve të tjerë për postin e kreut të OKB-se janë edhe ish-kryeministri i Portugalisë, Antonio Guterres, shefja e UNESCO-se bullgarja, Irina Bokova, ish-ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak, dhe ministrja e Jashtme e Argjentinës, Susana Malcorra.
Përzgjedhja e sekretarit të ri të përgjithshëm të OKB-se pritet të përfundojë këtë vjeshtë, ndërsa kreu i ri i kësaj organizate do të marrë detyrën në janar të vitit që vjen.
Facebook Forum