Ndërlidhjet

Të pakënaqurit rrezikojnë vendimet e koalicionit


Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për koalicionin PDK-LDK: Hashim Thaçi (majtas),dhe Isa Mustafa, Prishtinë, 8 dhjetor 2014
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për koalicionin PDK-LDK: Hashim Thaçi (majtas),dhe Isa Mustafa, Prishtinë, 8 dhjetor 2014

Çështja e shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi dhe ratifikimi i marrëveshjes për këtë çështje nga Kuvendi i Kosovës, është një nga çështjet për të cilat një numër i deputetëve i të dyja partive të koalicionit qeverisës në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, kanë shprehur mospajtim të hapur dhe mosbindje ndaj kërkesave të liderëve partiak.

Por, a shënojnë këto reagime lëkundje të qëndrueshmërisë së koalicionit qeverisës?

Nait Hasani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, është njëri nga deputetët që ka shfaqur pakënaqësinë lidhur me politikat e caktuara të udhëhequra nga koalicioni qeverisës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai vlerëson se pakënaqësitë e disa deputetëve brenda të dy partive të koalicionit e rrisin mundësinë e luhatjes së qëndrueshmërisë së koalicionit qeverisës, si dhe mundësinë që të shkohet në zgjedhje.

“Arsyeja e parë është që koalicioni nuk ka politika të përbashkëta qeverisëse. Janë dy grupe politikash nga subjektet politike në koalicion. Arsyeja e dytë është dominimi politik i partive mbi njëra tjetrën, në luftë për marrjen e primatit.”

“Deri më tash PDK ka qenë me primatin e partisë së parë. Lufta e LDK-së, që ta ketë edhe ajo primatin e partisë së parë, duke bërë tregtinë e deputetëve nga partia në parti, tregon që është luftë e heshtur, luftë që tregon se kërkesat e tyre janë për ta ndryshuar një gjendje. Prandaj, mendoj se këto lëvizje janë mjaft serioze dhe besoj që mund të shkohet edhe deri në zgjedhje”, thotë Hasani.

Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike në Kuvendin e Kosovës, i cili edhe më parë është shprehur i rezervuar lidhur me mjaft vendime të koalicionit qeverisës, e po ashtu edhe për marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se qëndrimet politike të artikuluara edhe në rastin kur janë të kundërta, megjithatë nuk kanë të bëjnë me koalicionin.

“Kanë të bëjnë me vendimet dhe vendimet mund të mos kalojnë, por kjo nuk ka të bëjë me koalicionin. Për shembull, mund të mos kalojë vendimi për demarkacionin (me Malin e Zi), por kjo nuk do të thotë domosdo se ka të bëjë me koalicionin”, ka theksuar Gashi.

Por, a do të ndikojë pakënaqësia dhe mospajtimet e disa deputetëve nga të dyja partitë e koalicionit qeverisës, në vendimin për ratifikimin ose jo të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi?

Deputeti Hasani shpreh mendimin se kjo situatë do të ndikojë, për shkak se, siç thotë ai, çështja e demarkacionit ka të bëjë me një vendim politik, i cili ndërlidhet me liberalizim të vizave për Kosovën. Këtë situatë dhe këtë ndërlidhje, sipas tij, e kanë sjellë dy subjektet e koalicionit qeverisës.

“Unë besoj që deputetët nuk do ta votojnë. Unë besoj në përgjegjësinë e tyre dhe nuk do ta votojnë”, theksoi Hasani.

Ndërkaq, deputeti Gashi ka theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë se cili do të jetë vendimi i deputetëve lidhur me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.

“Nuk mund të paragjykoj asnjë lloj procesi vendim-marrës në Kuvend”, ka theksuar Gashi.

Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë se mospajtimet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës janë shënuar në të dyja nivelet e pushtetit, në atë lokal dhe qendror.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospajtimet e deputetëve të caktuar, brenda partive të koalicionit, me politikat dhe vendimet e caktuara të vet koalicionit, jo vetëm që do t’i shtojnë lëkundjet e qëndrueshmërisë të koalicionit, por mund ta çojnë vendin në zgjedhje.

“Unë pres që pikërisht këto mospajtime, ndoshta jo tash për çështjen e demarkacionit, mirëpo edhe për çështje tjera që mund të jenë shpejt në rend dite për diskutime dhe miratime, do ta sjellin edhe fundin e këtij koalicioni.”

“Të dy partnerët e koalicionit qeverisës janë të bindur, respektivisht, e dinë se kjo do të ndodhë, pavarësisht deklaratave se koalicioni qeverisës do të shkojë deri në fund të mandatit. Unë pres që kjo të ndodhë më shpejt dhe natyrisht, të shkohet në zgjedhje”, mendon Mushkolaj.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës javë më parë kishin theksuar se ekzekutivi do ta dërgojë me një afat të përshpejtuar në Kuvend Projektligjin për ratifikim të Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Megjithatë, ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur ky projektligj do të gjendet para deputetëve, për faktin se projektligji ende nuk është dërguar në Kuvendin e Kosovës. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG