Ndërlidhjet

Opozita kërkon dorëheqjen e Qeverisë


Protesta e opozitës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Protesta e opozitës

Partitë opozitare në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, nëpërmjet protestës, kanë kundërshtuar edhe një herë, marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Protestës së 14 majit me moton “Për shtet me dinjitet” e thirrur nga dy partitë opozitare, AAK dhe Nisma, i janë bashkuar mijëra qytetarë të Kosovës.

Krerët e partive opozitare, në fjalimet e tyre drejtuar protestuesve, kanë theksuar se marrëveshjet e Qeverisë për demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave serbe, janë antikushtetuese dhe janë dy marrëveshje, të cilat shkojnë në dëm të Kosovës.

Sipas tyre, zgjidhja e vetme për tejkalimin e gjendjes së vështirë politike, ekonomike dhe sociale, është dorëheqja e Qeverisë aktuale dhe zgjedhjet e parakohshme.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se Qeveria e Kosovës është duke penguar vendosjen e rendit ligjor dhe kushtetutshmërinë e vendit.

“Ne versionin e tanishëm të Asociacionit dhe demarkacionit, ne humbim, ne humbim me vazhdimin e kësaj Qeverie, ne fitojmë vetëm kur jemi të bashkuar si sot dhe kur të jemi të vendosur. Sot, me të drejtë, u themi atyre që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje, që të ndalen dhe u kërkojmë atyre që t’i kthejnë mandatin qytetarit”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se do të vazhdojnë të kundërshtojnë Qeverinë aktuale, duke kërkuar kështu dorëheqjen e koalicionit qeverisës.

“Ne i bëjmë thirrje këtij koalicioni të japë dorëheqje. Ky koalicion ka shkelur Kushtetutën e Kosovës. Kjo Qeveri, në vend se të punojë që ta përmirësojë jetën e qytetarëve të saj, ajo vazhdon t'i mashtrojë ata. Siç e kemi parë, ditëve të fundit kanë nisur të shesin para popullit një pazar: Po marrim vizat e po japim tokë”, është shprehur Limaj.

Heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, ka shtuar Jakup Krasniqi, tash pjesë e partisë Nisma për Kosovën, se nuk duhet të kushtëzohet me demarkacionin me Malin e Zi.

“Ne i themi po liberalizimit të vizave në zonën Shengen, por i themi jo kushtëzimit të liberalizimit të vizave me demarkacionin me Malin e Zi, i cili më të drejtë është kontestuar. Ne dhe ju i themi po secilës fitore politike të Kosovës deri në ditën e sotme. Por, ju dhe ne u themi jo të gjitha marrëveshjeve të dëmshme, të cilat i ka bërë Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi”, ka shtuar Krasniqi.

Ndërkohë, Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media ka treguar se në protestën e organizuar të shtunën në Prishtinë, nga dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.

“Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në protestë, sipas Policisë së Kosovës, kanë marrë pjesë rreth 5.000 protestues.

Kjo është protesta e parë që AAK-ja dhe Nisma e organizojnë pa Lëvizjen Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila bashkë me AAK-në dhe Nismën për disa muaj përbënin opozitën e bashkuar, nuk u është përgjigjur dy partive AAK-në dhe Nismën për protestë.

Ndryshe nga herët tjera, partitë opozitare për organizimin e protestës së të shtunës, e kishin njoftuar Policinë e Kosovës, e cila kishte angazhuar numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë për menaxhim të sigurisë së përgjithshme dhe mbarëvajtje të protestës.

Subjektet politike në opozitë, i patën nisur protestat e tyre në Kuvend dhe jashtë tij që nga 25 gushti i vitit të kaluar, duke kundërshtuar Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë si dhe atë për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG