Ndërlidhjet

Kosova pret mbështetje për anëtarësim në UEFA


Ilustrim
Ilustrim

Kosova pret që nga 3 maji të jetë anëtare e Federatës Evropiane të Futbollit që njihet shkurt si UEFA. Ky optimizëm, është shprehur pas takimit që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Presidenti Thaçi ka thënë me këtë rast se Kosova ka plotësuar gradualisht standardet e kërkuar nga UEFA.

"Mbesim me besim të fuqishëm, me bindje të plotë se do të fitohet shumica e mjaftueshme për mbështetjen e Federatës së Futbollit të Kosovës që të jetë pjesë e UEFA-s dhe menjëherë pas kësaj, presim edhe anëtarësimin në FIFA".

"Kështu që mund të themi se nga gjysma e dytë e kësaj vere, apo fillimi i vjeshtës së këtij viti, edhe futbolli i Kosovës, ekipet kosovare, ekipet kombëtare të Kosovës do të jenë pjesë e garave evropiane, pjesë e ndeshjeve tanimë edhe zyrtare për Kampionatin botëror", ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, kryetari i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri, ka deklaruar se vendimi i së mërkurës nga kongresi i UEFA-s, pritet të jetë pozitiv. Me këtë anëtarësim, ka vijuar Vokrri, do t'ju hapen shumë rrugë sportistëve kosovarë.

“Ne me mundësitë tona nuk jemi ndalur asnjëherë dhe gjithmonë kemi punuar dhe kemi ardhur deri këtu. Ne kemi potencuar edhe vështirësitë ligjore që kemi pasur, kur në shtator u vendos që kjo çështje do të dërgohet për votim në Kongres. Ne shpresojmë se do ta kemi shumicën [e votave] në këtë kongres dhe të hapim rrugë të reja për të rinjtë edhe të rejat tona, sepse e kemi edhe futbollin e femrave", ka theksuar Vokrri.

Kongresi i UEFA-s do të mbahet nesër në Budapest, ku në rend dite është edhe kërkesa e Kosovës për pranim në shtëpinë e futbollit evropian.

Por, Mithat Belegu, ish-gjyqtar ndërkombëtar, konsideron se sa i përket gjendjes së sportit, duke i analizuar faktet dhe nivelin ndërkombëtar, Kosova nuk ka bërë sa duhet për të qenë pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë sportivë.

"Unë jam i mendimit, jo vetëm në futboll, por në përgjithësi në të gjitha sportet nuk kemi qenë të përgatitur për pranim në këto organizata. Ne, më tepër jemi angazhuar për t’u pranuar në to, sesa që i kemi bërë parapërgatitjet për të marrë pjesë në aktivitetet e federatave ndërkombëtare", ka thënë Belegu.

Sipas Belegut, një gjendje jo e mirë është evidente në të gjitha federatat sportive, si në futboll, basketboll, hendboll. Sipas tij, institucionet e Kosovës që nga paslufta shumë pak kanë bërë për sportin.

"Sportistët tanë më shumë po vijnë në shprehje në shtetet e huaj, ngase atje kanë kushte shumë më të mira. Kjo e vërteton që Kosova dhe shqiptarët kanë talent dhe janë të prirë për sport”.

“Mirëpo, për të arritur një cilësi të nivelit evropian, duhet të krijohen kushtet dhe të punohet shumë më tepër, e ato kushte janë infrastruktura edhe kuadri profesional. Ne shumë pak kemi investuar për aftësimin e kuadrit profesional", ka vlerësuar Belegu.

Ndërkaq, Besim Hasani, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, me herët kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se Federata e Futbollit të Kosovës, pavarësisht pengesave të deritashme ligjore për anëtarësim në federatat evropiane dhe botërore të futbollit, do të pranohet në to.

Njohja e Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik ndërkombëtar, përveç tjerash, nënkupton që çdo sportist nga Kosova ka të drejtë të marrë pjesë në kualifikimet për lojëra olimpike".

"Në këtë drejtim, edhe futbollistët kanë të drejtë. Kështu që, nuk mundet tash të dalë pengesë një anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për ta pranuar Federatën e Futbollit të Kosovës. Me pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, çështja e ndërkombëtarizimit përfundon, kur bëhet fjalë për federatat ekzistuese dhe aktive në Kosovë”, kishte thënë Hasani.

Pranimi eventual i futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, kishte theksuar Hasani, do t’i rrumbullakonte përpjekjet që janë bërë për rreth 20 vjet që edhe federatat e sporteve të Kosovës të jenë të barabarta me federatat sportive të botës dhe që sportistët e Kosovës të jenë të barabartë për kualifikime dhe pjesëmarrje në kampionate evropiane dhe botërore, si dhe në lojëra olimpike.

Në janar të vitit 2014, FIFA i kishte lejuar Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare miqësore, por me disa kufizime.

Ndeshjen e parë miqësore, të nivelit ndërkombëtar dhe me lejen e FIFA-s, Kosova e ka luajtur më 5 mars të vitit 2014, me përfaqësuesen e Haitit.

Që atëherë, përfaqësuesja e futbollit të Kosovës ka zhvilluar një varg takimesh miqësore ndërkombëtare, në Kosovë dhe jashtë saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG