Ndërlidhjet

2014: Vit i sukseseve për ndërkombëtarizimin e sportit


Ndërkombëtarizimi i sportit të Kosovës ka qenë agjendë e të gjitha federatave të sportit dhe institucioneve qeveritare dhe mekanizmave jo qeveritar përgjegjës për sportin, që nga paslufta, e sidomos, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, në shkurt të vitit 2008.

Por, viti 2014, konsiderohet të jetë më i suksesshmi në këtë drejtim, vlerësojnë përfaqësuesit e mekanizmave dhe institucioneve sportive në vend. Sipas tyre, kulmi i të gjitha sukseseve për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës gjatë vitit 2014, është pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në nëntor të këtij viti.

Në muajin gusht, të këtij viti, ishin dhënë sinjalet e para nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, se procesi i pranimit të Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar të sportit kishte nisur.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, se me 1 shtator kishte qenë në Lozanë të Zvicrës, ku zyrtarët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ia kishin bërë me dije se Kosova duhet të filloj përgatitjet për pranimin e saj në këtë organizatë ndërkombëtare të sportit.

“Pasoi 22 tetori, kur Bordi ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar bna njohu përkohësisht dhe me 9 dhjetor erdhi edhe njohja unanime nga të gjithë anëtarët e sesionit të 127 të jashtëzakonshëm të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Normalisht, këtë e trajtuam si arritjen më të madhe në fushën e sportit. Por, dorën në zemër, ne kemi pasur edhe të arritura të tjera të jashtëzakonshme me sportistët tonë“, ka shtuar Hasani.

Pas pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë, fillimisht me të drejta të përkohshme, në muajin tetor, ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, e pati vlerësuar si arritjen më të rëndësishme..

“Ndoshta, njohje më e rëndësishme pas kësaj, mund të jetë vetëm njohja nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, sepse në një formë OKB-ja e sportit është pikërisht, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar”, tha Krasniqi.

Por, përveç angazhimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, federatave të sporteve olimpike dhe institucioneve qeveritare të vendit përgjegjëse për sportin, sipas zyrtarëve të këtyre mekanizmave, ajo që i kishte paraprirë pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ishin sukseset në arenën ndërkombëtare të Majlinda Kelmendit, e cila në sportin xhudo ka arritur të fitoj dy medalje të arta, në Rusi dhe në Abu Dabi, duke u bërë kampione e dyfishtë botërore në xhudo.

Malsor Xhonbalaj, këshilltar i ish-ministrit Krasniqi, vlerëson se sukseset e Kelmendit, kanë qenë kulmi i suksesit të sportistëve të Kosovës.

“Kur përmendim ndërkombëtarizimin dhe sukseset, pa dyshim që kulmi i gjithë sukseseve janë rezultatet e Majlinda Kelmendit. Ajo është një vajzë e cila na ka ndihmuar shumë edhe neve dhe është një vajzë e cila ua ka zbardhur fytyrën të gjithë shqiptarëve, kudo që janë. Është një vajzë e cila me të arriturat e saj ka dëshmuar se Kosova ka sportistë të dalluar”.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Hasani, vlerëson se sukseset e sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare, e veçanërisht sukseset e Majlinda Kelmendit, kanë qenë aduti në dorën e Kosovës, për të bërë presion për pranim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë.

“Sukseset e sportistëve, në veçanti të xhudistëve, në këtë rast edhe të Majlindës, ka qenë ai presioni i jashtëzakonshëm që e ka tundur lëvizjen olimpike botore për ta marrë hapin vendimtarë. Normalisht, mozaiku është plotësuar dhe me të tjerat, por në rend të parë, në lëvizjen olimpike botërore, por edhe këtu te ne, në fokus i kemi , pikërisht sportistët, rezultatet e tyre dhe lehtësimin e pjesëmarrjes së tyre në Arenën ndërkombëtare”.

Ndryshe, Majlinda Kelmendi, tashmë ka arritur të siguroj pikët e nevojshme për normë olimpike dhe ajo pret që të jetë pjesë e lojërave olimpike në Rio de Janeiro, në vitin 2016.

Pas pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik, ajo i ka thënë RTV 21, se ky është një lajm që gëzon të gjithë sportistët e Kosovës.

“Tanimë nuk do të diskutohet pjesëmarrja e Kosovës në ndonjë garë, sepse do të jemi me të drejta të plota dhe të barabarta, sikurse të gjithë sportistët tjerë në botë. Më gëzon shumë fakti që në çdo eveniment sportiv do të kemi të drejtë që ta kemi flamurin tonë dhe himnin e shtetit të Kosovës aty, e sidomos në lojërat olimpike”, theksoi Hasani.

Në anën tjetër, ajo që ka gëzuar jashtëzakonisht të gjithë dashamirët e sportit të futbollit në Kosovë, është e drejta që Federata ndërkombëtare Botërore e Futbollit i ka dhënë përfaqësueset së Kosovës për ndeshje miqësore ndërkombëtare. Ky fakt, gjithashtu është shënuar si një sukses i madh për sportin e Kosovës, pavarësisht që ajo ende nuk është bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare të futbollit, siç janë Federata Evropiane e

Futbollit-UEFA dhe Federata Ndërkombëtare e Futbollit -FIFA. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vlerëson se ndeshja e parë ndërkombëtare miqësore me leje të FIFA-s, me 5 mars në Mitrovicë, ndërmjet përfaqësueseve të Kosovës dhe Haitit, është hap i madh në kuadër të prioritetit për ndërkombëtarizim të sportit të Kosovës.

“Mendoj se duhet të fillojmë, pikësëpari, me ndeshjen, që e kemi nisur me 5 mars, loja e parë historike kundër Haitit, me leje të FIFA-s, pavarësisht disa modaliteteve. Pastaj, për një kohë të shkurtë kemi organizuar tre-katër ndeshje ndërkombëtare. Edhe pse ende jemi të papranuar, mendoj se ky është një sukses, të cilin nuk e kanë arritur shumë federata, që nuk janë të anëtarësuara në instancat ndërkombëtare”.

Ndryshe, gjatë këtij viti, Kosova ka shënuar edhe suksese tjera në ndërkombëtarizimin e sportit dhe në mesin e tyre janë edhe anëtarësimi i federatave të gjimnastikës, boksit, skijimit dhe disa të tjerave, në federatat ndërkombëtare gjegjëse.

Trendi i anëtarësimit të këtyre federatave në organizatat gjegjëse botërore, ka mundësuar në vazhdimësi plotësimin e kriterit teknik që Komiteti Olimpik i Kosovës të bëhet anëtare me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Një numër i federatave sportive, siç është edhe ajo e futbolli, ende e kanë barrierë për tu pranuar në organizatat gjegjëse ndërkombëtare, kriterin politik, i cili ekziston në statutet e këtyre organizatave.

Ky kriter nënkupton që vendi i caktuar duhet të jetë anëtar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që për pranimin në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, kriter politik ka qenë njohja ndërkombëtare e shtetit, të cilën Kosova tashmë e ka përmbushur me njohjet nga 108 vende të botës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG