Ndërlidhjet

Drejt pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar


Ilustrim
Ilustrim

Angazhimet e organizatave sportive në Kosovë dhe institucioneve qeveritare përgjegjëse për sportin, kanë rezultuar me suksese të cilat po e dinamizojnë procesin e ndërkombëtarizimit të sportit të Kosovës, vlerësojnë përfaqësuesit e këtyre organizatave dhe institucioneve qeveritare.

Ata thonë se, pranimi i Federatës së Hendbollit të Kosovës si anëtare me të drejta të plota në Federatën e Hendbollit të Evropës, rreth një javë më parë, është ngjarje që ka shënuar një moment mjaft të rëndësishëm në këtë drejtim.

Memli Krasniqi, ministër në largim i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pranimi i hendbollit të Kosovës në federatën evropiane të këtij sporti, është ndër anëtarësimet më të rëndësishme, për faktin se hendbolli i takon sporteve ekipore..

“Është sporti i parë ekipor dhe një sport i popullarizuar dhe me traditë, që është pranuar me të drejta të plota. Kjo i hapë mundësinë Kosovës që për herë të parë, pa asnjë pengesë, të marrë pjesë në të gjitha kualifikimet dhe garat ndërkombëtare ekipore edhe me përfaqësuesen shtetërore".

"Ndërsa, ne jemi shumë optimist se në të ardhmen e afërt do të ketë lëvizje shumë të rëndësishme edhe për sa i përket anëtarësimeve në organizatat më të rëndësishme. Në radhë të parë është Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë, por, gjithsesi edhe Federata Ndërkombëtare e Futbollit – FIFA, si dhe ajo e basketbollit”, thotë Krasniqi.

Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se tashmë janë 13 federata të sporteve olimpike të Kosovës, të cilat janë njohur nga federatat përkatëse ndërkombëtare, si dhe 7 federata të tjera të sporteve jo olimpike, të cilat, po ashtu, janë njohur nga federatat përkatëse ndërkombëtare.

“Prej këtyre 13, që janë olimpike, që kanë rëndësinë specifike, për shkak se lidhen më pas edhe me njohjen e Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik ndërkombëtarë, mund të them se 7 prej tyre janë me të drejta të plota, sepse edhe hendbolli, disa ditë më parë, është pranuar me të drejta të plota. Ndërsa në nëntor, do të mbahet kongresi i AIBA-s dhe Federata e Boksit e Kosovës, e cila për momentin e ka statusin e njohjes së përkohshme, do të njihet me të drejta të plota”, bën të ditur Hasani.

Ai shton se kriteri teknik për t’u pranuar në Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, i cili nënkupton pranimin e 5 federatave të sporteve olimpike nga federatat gjegjëse ndërkombëtare, është plotësuar tash e dy vjet.

Por, një nga pengesat kryesore për pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në komitetin gjegjës ndërkombëtar, vazhdon të mbetet kriteri politik. Në statutin e kësaj të fundit thuhet që për pranim me drejta të plota, vendi i caktuar duhet të jetë i njohur ndërkombëtarisht.

Sipas Hasanit, kriteri politik është plotësuar, për faktin se, sipas tij, Kosova është njohur nga 56 për qind e shteteve që janë të anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara edhe pse, siç thekson ai, në statutin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar nuk thuhet se shteti duhet të jetë i pranuar nga Kombet e Bashkuara, por vetëm nga komuniteti ndërkombëtar.

Në anën tjetër, ministri në largim, Krasniqi, thotë se Qeveria e Kosovës, përmes resorëve të saj, është angazhuar mjaft për sensibilizimin e çështjes së pranimit të sporteve të Kosovës në organizmat ndërkombëtar përkatës.

Në angazhimet e tilla, sipas tij, pavarësisht që bartëse ka qenë Ministria që ai drejton, janë përfshirë edhe kryeministri në largim i vendit, Hashim Thaçi, por edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Ministri në largim Krasniqi, thotë se tashmë ka mbetur që situata të sqarohet pas aplikimit të Komitetit Olimpik të Kosovës për t’u pranuar në mekanizmin përgjegjës ndërkombëtar.

“Ajo që po e quajmë ‘kriter politik’ e që ka të bëjë me interpretimin nga ana e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të termit ‘bashkësi ndërkombëtare’, është një çështje që duhet të ndodhë në momentin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim, gjë që pritet të ndodhë gjatë këtij viti”, thekson Krasniqi.

Në anën tjetër, Hasani thekson se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka dhënë sinjale mjaft pozitive lidhur me pranimin e mundshëm të Komitetit Olimpik të Kosovës në kuadër të saj. Sipas tij, Kosova tashmë është e gatshme që të aplikojë për një gjë të tillë.

“Ne jemi të përgatitur që të aplikojmë. Draftin e kemi. Ata e kanë shikuar draftin tonë dhe janë të kënaqur. Kur e them këtë, e kam parasysh sidomos statutin, i cili duhet të jetë në harmoni të plotë me Kartën olimpike. Normalisht që nëse na japin sinjalin, ne mundemi shumë shpejt dhe kjo ndoshta mund të ndodhë vitin e ardhshëm. Po të kemi më shumë fat, ndoshta edhe në fund të këtij viti”, shprehet Hasani.

Ndryshe, beteja e federatave të sporteve të Kosovës për t’u pranuar në mekanizmat përgjegjës ndërkombëtarë ka nisur që nga viti 2008, kur Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj.

XS
SM
MD
LG