Ndërlidhjet

Liberalizimi që nuk erdhi para Euro 2016


Në tetorin e vitit të kaluar, kur përfaqësuesja kombëtare e futbollit të Shqipërisë ishte kualifikuar për Kampionatin Evropian të futbollit, që pritet të mbahet në qershor të këtij viti në Francë, ministri i Integrimeve Evropiane i Qeverisë së Kosovës, Bekim Çollaku, pati shkruar në faqen e tij në rrjetin social Facebook se “Tifozëve në Kosovë iu premtoj se nuk do ndalemi së punuari që ata të udhëtojnë pa viza dhe ti festojnë fitoret bashkë me kombëtaren në Francë në 2016”.

Ministri Çollaku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se i qëndron besnik deklaratës së tij të mëhershme se “qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm dhe pa viza në vitin 2016”, por ai thotë se nuk mund të precizojë datën e saktë se kur do të ndodhë kjo gjatë këtij viti.

“Unë nuk mund të prejudikojë çështjet që nuk varen nga unë dhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Do të isha njeriu më i lumtur sikur të kisha mundësi ta kumtoja një datë të saktë dhe atë sa më të hershme, mirëpo unë nuk jam në një pozicion të tillë. E gjitha mbetet në diskrecion të Komisionit Evropian dhe pastaj në diskrecion të shteteve anëtare, të cilat duhet të miratojnë një rekomandim të tillë, kurdo që jepet nga ana e Komisionit Evropian. Kështu që, bëhet fjalë për hapa dhe procedura që janë jashtë kompetencave tona”, tha ai.

Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, thotë për Radion Evropa e Lirë se dinamika e procesit të përmbushjes së kushteve brenda kritereve të vendosur nga Komisioni Evropian, nuk është menaxhuar mirë nga qeveritë e deritashme të Kosovës, sidomos në aspektin e përmendjes së afateve nga zyrtarët e saj.

Sipas tij, angazhimi i dikasterit përkatës, në mandatin aktual të qeverisë, ka qenë serioz, por jo edhe e resorëve tjerë.

“Përderisa, për mendimin tim, ka pasur përkushtim prej Ministrisë së Integrimeve për ta koordinuar procesin, fakti që ky proces varet prej shumë akterëve që janë jo vetëm në qeveri por edhe rreth saj, e kanë bërë procesin edhe ma kompleks edhe më të vështirë për tu zbatuar. Për shembull, qoftë çështja krimit të organizuar, me gjykata dhe me prokurori, qoftë çështja e sikurse e objektit të Ombudspersonit apo çështje tjera".

"Thjeshtë, ka qenë operacion tepër kompleks për t’i zbatuar kushtet në afat më normal, për shembull, siç kanë bërë vendet e Ballkanit perëndimor, të cilat me një afat prej më pak se dy vjet i kanë përmbushur të gjitha kushtet”.

Megjithatë, ministri Çollaku ka theksuar se nga indikacionet që kanë dalë nga Komisioni Evropian, del që Kosova i ka përmbushur kriteret e përcaktuara, përfshirë edhe tetë rekomandimet e fundit, për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim vizash.

“Në rastin e Kosovës, një gjë është e sigurt. Kurdo që të ndodhë një vendim apo rekomandim i tillë, ai do të jetë plotësisht i bazuar në meritë dhe nuk do të jetë i bazuar në konsiderata politike”, theksoi Çollaku.

Ndërkaq, Muharremi, vlerëson se marrë parasysh zhvillimet e fundit, por edhe marrëdhëniet, siç i quan ai, të jashtëzakonshme ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, mund të pritet që në dy apo tre muajt e ardhshëm, Komisioni Evropian ta japë rekomandimin pozitiv për Kosovën.

“Prej atij momenti, na duhet edhe një afat për ta filluar të ashtuquajturin proces legjislativ vet BE-ja, ku duhet ta amendamentojë një prej rregulloreve të saj, që tregon se cilat shtete janë në ‘listën e bardhë’ që mund të udhëtojmë pa viza. Edhe ai proces mund të marrë tre deri në gjashtë muaj".

"Kështu që neve po na mbetet që eventualisht në periudhën e fundit të vitit të lëvizim pa viza. Tash, kjo është duke i marrë parasysh të gjithë indikatorët. Por, a mundet të mos ndodhë? Sigurisht që mundet”.

Sidoqoftë, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mbetet një nga temat dhe çështjet më të diskutuara viteve të fundit, por edhe shkas për premtime elektorale në disa raunde zgjedhjesh në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG