Ndërlidhjet

Liberalizimi i vizave, proces i tejzgjatur


Ilustrim
Ilustrim

Raporti i fundit i Komisionit Evropian, i cili nuk dha rekomandimin për liberalizimin e vizave në zonën Schengen për qytetarët e Kosovës, hodhi poshtë premtimet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë, të cilët ishin shprehur të bindur se qytetarët e Kosovës do të udhëtonin pa viza në vitin 2016.

Raporti i KE-së vuri në pah se Kosovës i mbetet të përmbushë edhe 8 kritere, për të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave.

Por, çka thonë të rinjtë për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, lidhur me atë se si ndihen ata si qytetarë të izoluar, të vetmit në Evropë pa të drejtë të lëvizjes në zonën Schengen?

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:46 0:00
Shkarkoje

Arbnor Sadiku, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se gjendja e rëndë politike në Kosovë, do ta shtyjë këtë proces.

Me vetë faktin që shteti nuk funksionon në çdo aspekt, do të thotë se nuk ka shpresë për liberalizim vizash”, konsideron Arbnori.

Valbona Kastrati, studente, thotë se edhe po të liberalizohemi si shtet, mundësit financiare e kufizojnë vizitën në vendet e Bashkimit Evropian.

“Mundësitë janë shumë të pakta. Mendoj se problemi i parë pse nuk do të liberalizohemi, është edhe shkaku ekonomik, papunësia dhe varfëria në Kosovë”, thotë Valbona.

Majlinda Kastrati, studente në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, thotë se ndihet e fyer që, si qytetare e Evropës, duhet aplikojë për vizë, për t’i vizituar vendet tjera të Bashkimit Evropian.

“ Aktualisht 60 euro kushton një vizë. Të duhen shumë dokumente që duhet t’i ofrosh ambasadës. Edhe në fund nuk e di se a do ta marrësh një vizë. E ne cilësohemi si evropianë të rinj. Mendoj se jemi të diskriminuar. E para, në ambasadë nuk të cilësojnë si qytetar të Evropës”, shprehet Majlinda.

Ndërkaq, Valoni 25-vjeçar, i cili punon si kamerier, ndonëse ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik, thotë se qytetarët karshi politikanëve janë në rendin e dytë:

“Nuk e besoj se do të kemi liberalizim. Politikanët tanë vetëm interesin e tyre po e shikojnë, aspak nuk po mendojnë për qytetarët e Kosovës”.

Labinot Shala, 20 vjeç, flet për atë se sa do të ndikonte liberalizimi i vizave në përparimin e të rinjve për të studiuar jashtë vendit:

“Shumë të rinj kanë pasur synime të studiojnë jashtë Kosovës. Por, edhe për punësim, pasi që në Kosovë papunësia është shumë e lartë. Mendoj që është e domosdoshme të mos jemi të izoluar vetëm ne karshi gjithë Evropës”.

Vlora Baftiu duket të jetë mjaft pesimiste sa i përket liberalizimit të vizave.

“Unë nuk mendoj që liberalizimi i vizave do të ndodhë në vitin 2016. Duke e marrë parasysh situatën politike në vend edhe gjendjen prej pas luftës në Kosovë, nuk e besoj që do të kemi liberalizim vizash”, thekson Vlora.

E, para se të publikohej Raporti nga Komisioni Evropian, zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, kishin potencuar se Kosova ka përmbushur kriteret teknike për liberalizim të vizave dhe se nuk ekziston asgjë që mund ta pengojë këtë proces.

Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ishte ai i cili vazhdimisht u kishte premtuar qytetarëve se do të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, pa pasur nevojë për viza.

XS
SM
MD
LG