Ndërlidhjet

Zgjedhja e presidentit nën tensione e protesta


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Votimi për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, i cili është paralajmëruar për ditën e premte në seancën që tashmë e ka thirrur Kryesia e Kuvendit të Kosovës, pritet të respektojë procedurat e parapara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por i gjithë ky proces gjithashtu po përcillet me tensione të shtuara, për shkak të kundërshtimeve të opozitës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Për postin e presidentit të Kosovës tashmë ekzistojnë propozimet për dy kandidatë, të dy nga Partia Demokratike të Kosovës, lideri i saj Hashim Thaçi dhe Rafet Rama.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, të ditës së premte, duhet të formohet komisioni i veçantë i cili do të verifikojë nëse dy kandidatët e propozuar i plotësojnë kriteret kushtetuese për të qenë të propozuar si kandidatë për president.

Në rast se kjo konstatohet pozitivisht, atëherë kërkohet konstatimi nëse ekziston kuorumi i mjaftueshëm prej së paku 80 deputetëve të pranishëm në seancë.

Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se në rast se ekziston kuorumi i mjaftueshëm në seancë, atëherë pason votimi i parë, në kabina të mbyllura, ku deputetët votojnë një nga një.

“Duhet që në kutinë e votimit të jenë së paku 80 vota të deputetëve, për tu konsideruar si i vlefshëm, si raund i votimit. Në qoftë se nuk arrihet të zgjidhet presidenti me 80 vota pro të deputetëve, atëherë kalohet në raundin e dytë. Mirëpo, nëse nuk janë të hedhura 80 vota - pra, ka më pak - atëherë, nuk mund të konsiderohet si i konsumuar ky raund i votimit".

"Në raundin e dytë, gjithashtu kërkohen 80 vota të deputetëve dhe në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me vetëm 61 vota pro të deputetëve të Kuvendit”.

Krasniqi ka shtuar se edhe në rast se në njërën nga këto raunde arrihet zgjedhja e presidentit, kjo nuk nënkupton fillimin automatik të mandatit, për shkak se duhet pritur deri në përfundimin e rregullt të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga, deri më 7 prill, kur edhe duhet ta japë betimin presidenti i ri.

Por, në rast se Kuvendi i konsumon tri raundet e votimit dhe në çfarëdo rrethane nuk arrin ta zgjedhë presidentin, atëherë ai shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve.

Krasniqi, ka theksuar se në rast të mungesës së kuorumit, në seancën e ditës së premte, nuk do të shkohet automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme .

Në këtë rast do të nisin procedurat e sërishme për zgjedhje të presidentit.

Sipas tij, raundi i parë dhe i dytë, mund të mbahen deri më datën 7 mars, si një afat më të largët kohor nga tani.

Në anën tjetër, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë duke e kundërshtuar, siç e kanë quajtur ato, fuqishëm, mbajtjen e seancës së Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit, në ditën e premte.

Ata, tashmë kanë vendosur tendat përballë objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, në të cilat janë duke qëndruar tash e dy ditë. Partitë opozitare gjithashtu kanë paralajmëruar protestë, siç e kanë quajtur, paqësore, për ditën e premte.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një paraqitje për medie, ka deklaruar se opozita është e bashkuar për ta kundërshtuar mbajtjen e seancës në ditën e premte, për zgjedhjen e presidentit të ri, duke iu referuar liderit të PDK-së, Hashim Thaçi.

“Pikërisht, zoti Thaçi që pretendon me qenë president nesër, ai ka nënshkruar një marrëveshje, me të cilën ka bërë agresion në territor të vendit. pra, territorin e Kosovës e ka rrezikuar me marrëveshjen që e ka nënshkruar. Nesër është protestë paqësore. Jemi bashkë. Opozita është e bashkuar, e vendosur që ta kundërshtojë një seancë për zgjedhje të presidentit, nesër”.

Analisti Krasniqi, vlerëson se në gjithë këtë situatë, në të cilën është paralajmëruar votimi për zgjedhjen e presidentit të ri, në kohën kur kundërshtimet ndërmjet pushtetit dhe opozitës kanë arritur në një shkallë të lartë, janë shfaqur indikacione se mund të ketë tensione në seancën e së premtes.

“Tashmë po provokohen të ndodhin edhe jashtë ndërtesës së Kuvendit, e jo vetëm ndërmjet deputetëve në seancë. Nëse do të ketë edhe grumbuj tjerë, pra të mbledhur prej partive në pushtet dhe ndonjë konfrontim të mundshëm ndërmjet simpatizantëve jashtë, vërtetë do ta ndërlikojë shumë gjithë këtë situatë dhe do ta tensionoj edhe më tepër ose do të përshkallëzohet kjo krizë politike”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një deklarate për medie ka thënë se është i i shqetësuar me paralajmërimin se ditën kur do të votohet për presidentin e Kosovës mund të ketë përballje dhe tensionim mes simpatizantëve të pozitës dhe opozitës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG