Ndërlidhjet

Kuvendi pritet të votojë për Thaçin president, të premten


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka thirrur për të premten seancën e jashtëzakonshme, në të cilën do të votohet për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Thirrja e kësaj seance është mbështetur në nënshkrimet e mbledhura nga deputetët.

Kandidati i koalicionit qeverisës për postin e presidentit është lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kundërkandidati i tij është Rafet Rama, deputet i Kuvendit të Kosovës, po nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se procesi do të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.

"Procesi do të jetë transparent dhe asnjëherë deri më tani zgjedhjen e kryetarëve të shtetit nuk ka pasur hapësirë [kohore]më të madhe për të njoftuar opinionin publik dhe medien. Kemi 48 orë para mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme, e cila do të mbahet ditën e premte", tha Veseli.

Veseli ka folur shkurt edhe për atë që ka ndodhur në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, me kolegët e opozitës. Sipas tij, ajo që ka ndodhur aty brenda i ka kaluar të gjithë kufijtë e normales.

"Kjo që po ndodhë është e re në Kosovë, por nuk është e panjohur. Ka një vendosmëri të fanatizmit për t’i arritur qëllimet e veta, në mënyrën e vet. Kisha ftuar qytetarët, familjarët, që ta ruajnë njëri-tjetrin. Ne nuk do të ndalemi duke thirrur opozitën që të jetë pjesë e vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, nuk do të kenë suksese ata që mendojnë se shteti ligjor në Kosovë nuk funksionon", tha Veseli.

Ndërkohë, opozita ka njoftuar tashmë se është mobilizuar për të mos e lejuar zgjedhjen e Thaçit në postin e presidentit.

Pas daljes nga mbledhja e kryesisë - aty ku u hodh gazi lotsjellës - dhe pasi foli para medieve, Aida Dërguti, anëtare e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, është shoqëruar në polici, nën dyshimet se ishte ajo që e kishte hedhur gazin lotsjellës.

Kurse Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes, tha se koalicioni aktual, që e përbën shumicën në Kuvend, nuk ka legjitimitet që në rrethanat aktuale politike ta zgjedhë presidentin e ri.

"Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja demokratike, zgjedhje të reja parlamentare. Nga ato zgjedhje të reja të dalë kuvendi i ri, e prej atij kuvendi të ri, të dalë presidenti i ri, e prej presidentit të ri le të dalë edhe mandatari i ri për kryeministër, përkatësisht qeveria e re e qeverisja e re", tha Kurti.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në një konferencë për gazetarë, të mbajtur gjatë ditës, në sheshin "Skënderbe", ku po qëndrojnë aktivistë e mbështetës të opozitës, i kanë bëre thirrje Kuvendit që të mos mbajë seancë për zgjedhjen e presidentit.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nëse “presidenti trafikohet në këtë mënyrë”, Kosova do të zhytet në një krizë edhe më të thellë politike.

"Trafikimi i një seance tani është veprim i radhës i kësaj logjike. Ky parlament nuk ka legjitimitet me e zgjedhë presidentin. Presidenti i zgjedhur në këtë mënyrë nuk është legjitim. Pra, ky veprim është vetëm vazhdim i thellimit të krizës politike në vend", tha Haradinaj.

Zgjedhja e presidentit, sipas procedurave kushtetuese, mund t’i kalojë tri rrethe të votimit.

Në dy rrethet e para kërkohet mbështetja prej dy të tretave të deputetëve, apo mbi 80 vota, kurse në rrethin e tretë, shumica prej 61 e më tepër vota.

Gjatë ditës së mërkurë, nën masa të shtuara të sigurisë dhe tensione politike, Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar seancën plenare, pa praninë e deputetëve të opozitës, numri më i madh i të cilëve është i suspenduar.

Vendimin për suspendim e ka marrë të premten kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës dhe sjelljeve tjera të deputetëve nga opozita.

Por, për dallim nga herët e tjera, deputetët e opozitës kësaj radhe nuk kanë provuar fare që të futen në sallë.

Përderisa i ka vazhduar punimet Kuvendi, jashtë ndërtesës kanë qëndruar dhe po qëndrojnë aktivistë e mbështetës të opozitës.

Ata, nga e dita e martë kanë vendosur tenda para ndërtesave të Kuvendit dhe Qeverisë, ku edhe kanë kaluar një natë.

Liderët opozitarë kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë në tenda para qeverisë deri më 27 shkurt, kur opozita ka thirrur një manifestim gjithë popullor, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë së Kosovës.

Ngjashëm me seancat e fundit të këtyre muajve, ndërtesat e Kuvendit dhe Qeverisë, përfshirë edhe hapësirat brenda tyre, janë të mbushura me policë, përfshirë edhe njësitë speciale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG