Ndërlidhjet

Prishtinë, 19 shkurt 2015
Prishtinë, 19 shkurt 2015

Edhe një ditë me tensione e gaz lotsjellës

Kuvendi i Kosovës u mblodh në një seancë plenare, me një rend dite prej 21 pikash. Ligjvënësit nga opozita hodhën gaz lotsjellës brenda sallës qendrore të Kuvendit dhe punimet u zhvilluan pa praninë e tyre.

15:15 19.2.2016

Kuvendi i Kosovës i ka rifulluar punimet në sallën qendrore, por pa deputetët e Lëvizjes vetëvendosje, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën.

Shumica nga 31 deputetë sa llogaritet se kanë partitë opozitare, me vendim të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli janë pezulluar nga seanca për shkak të pengimit të punës së Kuvendit.

Në seancë është vetëm Ilir Deda nga Vetëvendosje, i cili tha se "Kosova do të përfundojë keq, me inate kundër njëri - tjetrit".

Ndërsa seanca po i vazhdon punimet, një grup i qytetarëve sërish është mbledhur para Kuvendit në mbështetje të opozitës.

14:50 19.2.2016

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shoqëruar për në polici gjashtë persona të dyshuar për kryerje të veprës penale "Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve” (gazit lotsjellës), nga neni 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës".

Në një komunikatë, policia e Kosovës shpjegon se nga gjashtë të ndaluarit, tre janë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

"Të gjitha veprimet policore janë ndërmarr dhe po ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent", thuhet në komunikatën e policisë.

14:24 19.2.2016

Policia e Kosovës ka arrestuar deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së dhe deputetin Pal Lekaj, njofton AAK përmes një komunikate.

Ata, në këto momente, po mbahen në departamentin e krimeve të rënda në Prishtinë.

E ndaluar nga policia është edhe Besa Baftiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

13:26 19.2.2016

Reagimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka deklaruar në Novo Bërdë të Kosovës se është i zhgënjyer me vendimin e partive politike në opozitë, për të hedhur sërish gaz lotsjellës në Kuvend.

“Vetëm dy ditë pasi kremtuam ditëlindjen e Kosovës, është për keqardhje që tani shoh se ka njerëz të cilët përpiqen ta cenojnë demokracinë e Kosovës”, ka thënë ambasadori amerikan, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të punojnë bashkërisht përmes dialogut, për t’i dhënë fund krizës politike.

“I ftoj të gjithë që të shmangin fjalorin nxitës, duke cilësuar njëri-tjetrin ‘tradhtar’ ose ‘qyqar’, gjë që e vështirëson mundësinë e dialogut dhe zhvillimin e Kosovës, ashtu siç kanë nevojë dhe e duan qytetarët e Kosovës”, ka thënë ambasadori amerikan.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG