Forca të shtuara të sigurisë kanë rrethuar objektin e Kuvendit të Kosovës, ku pritet edhe fillimi i seancës plenare. Opozita ka paralajmëruar bllokimin e punimeve.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është sulmuar me vezë nga dy persona, teksa po hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Njëri nga këta persona është shoqëruar nga Policia e Kosovës.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të mblidhen në sallën e Kuvendit, ku pritet fillimi i seancës plenare, i paralajmëruar për orën 10:00.
Aktivistët e opozitës të mbledhur para Kuvendit
Një grup i qytetarëve, shumica prej të cilëve aktivistë të opozitës, qëndrojnë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës për të përcjellë nga afër zhvillimet në seancën e sotme.
Sipas ftesës së partive opozitare, përveç bllokadës së punës së Kuvendit nga ana e deputetëve opozitar, në rast se Kuvendi provon të zgjedh presidentin e ri, atëherë protestat do të shtriheshin edhe në rrugë.
Këta qytetarë po qëndrojnë përballë forcave të shumta policore dhe kohë pas kohe brohorasin, “poshtë qeveria”