Ndërlidhjet

Dita e pavarësisë, populli ndërmjet ndasive të klasës politike


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës

Në Kosovë po shënohet përvjetori i tetë i shpalljes së pavarësisë së vendit. Kryeqyteti, Prishtina, tashmë është dekoruar me flamujt dhe simbolet shtetërore, që krijojnë atmosferën e kremtes, ndërkohë që në Kosovë, tashmë kanë arritur edhe një numër delegacionesh dhe mysafirësh nga vendet tjera.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë uruar qytetarët e vendit për tetë vjetorin e pavarësisë së shtetit të tyre, por edhe me thirrjet që festa e 17 shkurtit të mos zbehet, duke iu referuar protestës së paralajmëruar nga partitë opozitare, e cila, siç është thënë, do të nis në orën 14.

Në pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka theksuar se shteti i Kosovës ka lindur me shumë mundime, sakrifica të hatashme njerëzore, vuajtje të thella dhe me pasoja të rënda. Ajo tha se sakrifica për të arritur deri më sot, krijon vetëdijen se Kosova nuk mund të përvetësohet dhe nuk është e asnjë lideri politik.

“U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë, për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie. Për të këmbëngulur për rend dhe ligj dhe për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit. Për t’i rikthyer në busull të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan që ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tanë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka shtuar se këtë vit, më shumë se çdo vit tjetër, janë përjetuar dhimbjet e rritjes, dhe në këtë kontekst , siç ka theksuar ajo, “mospajtimet janë të kuptueshme, sikurse sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të pa testuar, e cila duhet të vazhdojë t’i japë peshën e legjitimitetit çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka theksuar se Republika e Kosovës është rrëfimi i përbashkët i suksesit të qytetarëve të Kosovës dhe aleatëve të tyre, ndaj të cilëve ata do të jenë gjithmonë mirënjohës. Ai gjithashtu iu ka referuar edhe kundërshtimeve të opozitës dhe protestës së paralajmëruar për 17 shkurt.

“Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të pakëndshme që i kanë ndodhur Kosovës këta muajt e fundit. Populli ynë thotë ‘shtëpi me tym e pa hidhërim, nuk ka’. Në fakt, është ngritur shumë tym, por reja e atij tymi do të largohet shpejt, sepse shteti nuk do t’i dorëzohet dhunës dhe inateve të askujt."

"Ne kemi vendosur rregulla demokratike, ligjet dhe kushtetutën e shtetit tonë. Vetëm ato do të jenë udhërrëfyese për Kosovën, sepse kështu ne e mbrojmë Republikën, e bëjmë atë partnere të denjë të aleatëve dhe aspiruese për tu bërë pjesë e familjes euroatlantike”, ka theksuar Mustafa.

Presidentja dhe kryeministri i Kosovës kanë falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe gjithë aleatët tjerë për ndihmën dhe mbështetjen për Kosovën dhe ndërtimin e shtetit gjatë gjithë këtyre viteve.

Kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Senatori Bob Corker, i cili gjendet për vizitë në Kosovë, e ka uruar popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë, si dhe e ka përgëzuar për përparimin, siç e ka quajtur, të jashtëzakonshëm.

“E di se disa qytetarë të Kosovës do të demonstrojnë për të shprehur vizionin e tyre për të ardhmen e Kosovës. Ata kanë të gjitha të drejtat që të protestojnë në mënyrë paqësore. Megjithatë, dallimet politike duhet të zgjidhen përmes debatit dhe jo me dhunë. Dita e pavarësisë duhet të jetë ditë e gëzimit, e jo të shënohet me dhunë”, ka thënë senatori Corker.

Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë me Kosovën që nga fillimi dhe me Kosovën janë edhe tash.

Në ditën kur shënohet përvjetori i tetë i pavarësisë së Kosovës, opozita ka paralajmëruar protestë masive, me kërkesën për largimin e qeverisë së vendit dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, për të kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhemarrëveshjen me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG