Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka uruar popullin e Republikës së Kosovës, me rastin e tetëvjetorit të pavarësisë së saj.
Përmes një komunikate shpërndarë mediave, zoti Kerry ka rikujtuar vizitën që i ka bërë Kosovës në dhjetor të vitit 2015, duke thënë se me atë rast “ka përshëndetur arritjet e fundit të vendit drejt integrimeve euro-atlantike”.
“Ky përparim përfshin edhe avancimin e dialogut të lehtësuar nga Bashikimi Evropian me Serbinë, nënshkrimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, shtyrjen përpara të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian”.
“Këta dhe hapat tjerë dëshmojnë vendosmërinë tuaj për t’u bërë një anëtar i plotë dhe produktiv i komunitetit euro-atlantik. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Kosovës, ndërkohë që merr vendime të vëshitra dhe të nevojshme për të lëvizur përpara, në rrugën drejt qëndrueshmërisë më të madhe, përparimit dhe inegrimit rajonal”.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë me të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ju urojmë edhe një herë për këtë ditë të veçantë”, citohet të ketë thënë zoti Kerry në komunikatë.