Ndërlidhjet

Doganat e Serbisë, kushte prodhuesve nga Kosova


Merdarë
Merdarë

Produkteve nga Kosova po u vendosen barriera tregtare nga shteti i Serbisë, pavarësisht marrëveshjeve tregtare për tregti të lirë, që këto shtete kanë të nënshkruara ndërmjet tyre.

Rasti i fundit ka qenë të enjten, kur një kompanie prodhuese nga Gjilani, nuk i është lejuar që prodhimet e saj të hyjnë në territorin e Serbisë, për shkak të, siç thuhet, autoriteteve doganore serbe, të cilat po paraqesin probleme me dokumentet përcjellëse që mbajnë elemente të shtetësisë së Kosovës.

Lulëzim Mustafa, menaxher në kompaninë“Fluidi”, e cila merret me prodhimin e lëngjeve, për Radion Evropa e Lirë tregon se një maunë e tyre, me prodhime nga Kosova, është kthyer mbrapa për shkak se autoritetet doganore të Serbisë kërkojnë që në dokumentet e origjinës së mallit të shkruhet “Krahina Autonome e Kosovës”.

“Për arsye se dogana e Serbisë, për të bërë zhdoganimin e mallrave të Kosovës, kërkon që të shkruhet: importuar nga Krahina Autonome e Kosovës (APK). Kështu që, të enjten, kemi pasur një kthim të eksportit”, thotë Mustafa.

Këtë rast për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi në Doganat e Kosovës, Adriatik Stavileci.

Ai ndërkaq tregon se për këtë çështje i kanë njoftuar të gjitha institucionet relevante dhe zyrtarët e përfshirë në bisedimet në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Është një kompani nga Gjilani, e cila ka tentuar t’i eksportojë produktet e saj në Republikën e Serbisë dhe ata janë ballafaquar me kërkesën për të shkruar në ato produkte origjinën e mallit, siç e trajtojnë ata atje, ‘Krahina Autonome’”,Ka thënë Stavileci.

Edhe Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj dhe ka kundërshtuar sjelljet e Doganës së Serbisë, e cila kushtëzon kompanitë nga Kosova me deklarimin e mallit që eksportohet në këtë vend, si mall i prodhuar në “Krahinën e Kosovës dhe Metohisë”, gjë që paraqet shkelje flagrante të marrëveshjeve në mes të dy vendeve .

Në një komunikatë për media, të dërguar nga ky subjekt ekonomik, thuhet se autoritetet në Serbi janë duke u bërë probleme edhe importuesve nga Kosova, mallrat e të cilave kalojnë transit nëpër Serbi, duke u kërkuar certifikata, dokumente dhe analiza të panevojshme për transit, pasi që të njëjtat vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ndryshe , përveç disa marrëveshjeve ndërkombëtare për tregti të lirë me vendet e Bashkimit Evropian, Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë marrëveshje për pranimin e vulave doganore dhe qarkullimin e lirë, të cilat janë arritur në bisedimet ndërmjet këtyre dy shteteve në Bruksel.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, ka thënë se jo rrallë herë Serbia u ka bërë probleme prodhueseve nga Kosova. Ai ka thënë se nëse autoritetet serbe vazhdojnë të kërkojnë një dokument të tillë, autoritetet e Kosovës duhet t’i zbatojnë masat e reciprocitetit.

“Për të krijuar partneritet të qëndrueshëm me Serbinë, vlen vetëm raporti i reciprocitetit, në të kundërtën autoritete serbe vazhdimisht veprojnë në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet që po arrihen në Bruksel”, ka thënë Shahini.

Në vitin 2011 autoritetet kosovare kishin marrë masa reciprociteti, duke i bllokuar produktet serbe, pasi që Serbia për tri vjet radhazi nuk kishte lejuar produktet kosovare të hyjnë në tregun e Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG