Ndërlidhjet

Eksporti, fuqia e zhvillimit ekonomik


Disa prodhime vendore
Disa prodhime vendore

Prodhuesit në Kosovë po iu bëjnë thirrje institucioneve të vendit që të krijojnë politika të favorshme fiskale për të rritur eksportin.

Strategjia e orientuar drejt rritjes së eksportit, vlerësojnë ata, duhet të konsiderohet nga autoritetet kompetente si një faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.

Përfaqësues të kompanive prodhuese në Kosovë, tregojnë se po ballafaqohen me barriera të shumta gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka treguar se gjatë këtij viti, autoritetet e Kosovës nuk kanë arritur të bëjnë asnjë përmirësim të politikave fiskale për prodhuesit.

“Deri më tani ka pasur vetëm premtime të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës se do të ketë lehtësira fiskale për prodhuesit. Realisht, asnjë ndryshim të politikave fiskale nuk ka pasur gjatë këtij viti. Politikat fiskale vazhdojnë të mos jenë të favor të prodhuesve”, ka bërë të ditur Kosumi.

Ai tregon se në fillim të këtij viti në tregun e brendshëm ka pasur rënie të shitjes së produkteve të tyre, por që ka pasur ngritje të eksportit.

Produktet e kësaj kompanie nga Kosova, sipas pronarit, Bedri Kosumi, kanë arritur të depërtojnë në Bullgari, në Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi dhe tani kanë filluar edhe në Itali.

Derisa në Serbi, ka theksuar Kosumi, ka shumë pak eksport dhe kjo siç shprehet ai, vetëm për shkak të problemeve politike që janë ne mes këtyre dy shteteve.

“Për të bindur konsumatorin janë dy faktorë, kualiteti dhe çmimi, tek çmimi ne kemi probleme pasi që ne edhe më tutje paguajmë taksë për lëndën e parë që nuk prodhohet në Kosovë, është fjala për vajin e pallmës dhe shijet që i importojmë nga vendet e BE-së, aty nuk jemi të barabartë me kompanitë e shteteve të rajonit”, tregon Kosumi.

Ndërkohë, disa nga pemët dhe perimet e Kosovës, sipas Feim Rexhepit, udhëheqës i Qendrës për Grumbullimin e Pemëve dhe Perimeve “Agrocelina” në Rahovec, tani e 10 vite janë të pranishme në tregun evropian.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Rexhepi ka treguar se kanë arritur që produktet e tyre të jenë prezente në Suedi, Norvegji, Zvicër, Itali, Gjermani dhe në Austri.

“Sfidat kanë qenë të natyrave të ndryshme, duke u nisur nga politikat fiskale të cilat nuk kanë qenë të favorshme për eksport. Edhe tani nuk kemi politika të mira të Qeverisë së Kosovës që subvencionojnë eksportin”, shton Rexhepi.

Ai thekson se eksporti ende mbetet i ulët dhe se duhet të zhvillohet më shumë në mënyrë që Kosovës t’i mundësohet një zhvillim ekonomik më i hovshëm.

“Ne kemi filluar të eksportojmë para 10 viteve. Në vitin e parë, eksporti i këtyre produkteve ka qenë 3 deri në 4 maune në vit, derisa sot ka kapacitetet që të eksportohen 3 deri në 4 maune në ditë”, bën të ditur Rexhepi.

Ndryshe, të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin qershor 2015 prej 207 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 188 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Eksporti i mallrave në muajin qershor të këtij viti, kishte vlerën 30 milionë euro, ndërsa importi 238 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG