Ndërlidhjet

Tregtia - biznesi kryesor


Kosovë, foto nga arkivi
Kosovë, foto nga arkivi

Sektori më i preferuar në Kosovë vazhdon të mbetet tregtia. Edhe pse ky sektor konsiderohet i levërdishëm, sektori i prodhimit ndikon në rritjen e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

Bizneset e sektorit të tregtisë merren me furnizimin dhe shitjen e prodhimeve të gatshme për konsumatorët final.

Por, përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë për çështje ekonomike shprehin shqetësimin se orientimi i afaristëve të Kosovës në sektorin e tregtisë do të ndikojë që vendi të vazhdojë të varet nga import i produkteve të huaja.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, pohon se në Kosovë nuk ka strategji zhvillimore që i jep prioritet sektorit të prodhimit, kështu që shërbimet dhe tregtia do të mbesin si sektor më atraktiv për bizneset.

Ai ndërkaq thotë se mënyra e përfitimit me tregti është më e lehtë.

“Përderisa nuk ka dallime në hartimin e politikave fiskale mes prodhuesit dhe tregtarit, tregtarët do të mbesin edhe më tutje të avancuar, të mbështetur nga politikat qeveritare, kurse prodhuesit do të mbesin edhe më tutje të diskriminuar nga politikat qeveritare, por të diskriminuar edhe nga tregtarët”, ka thënë Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS” thotë se aktualisht politikat shtetërore janë të orientuara më shumë nga stimulimi i tregtisë se sa nga funksionalizimi apo fuqizimi i sektorit të brendshëm apo prodhues.

Për këtë arsye, sipas tij, edhe kapitali është i orientuar nga tregtia.

“Kjo bëhet kryesisht nga frika e mungesës së mjeteve buxhetore, pasi edhe aktualisht kemi 70 deri 75 për qind të hyra nga doganat. Por, edhe për shkak të një ambienti të keq për investime, të shkallës se ulët të sigurisë së kapitalit, nuk ka shumë interes për investime në sektorin publik”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi, thekson se industria prodhuese është e destimuluar nga politikat e bankave, por edhe problemet tjera, siç është mungesa e ujit dhe energjisë elektrike.

Dominimi i tregtisë në ekonominë e Kosovës, sipas Rexhepit, do të ndikojë që paratë e gatshme të qytetarëve të Kosovës [konkretisht remitencat] të shkojnë në vendet e treta për import të produkteve.

“Në mungesë të zhvillimit të brendshëm të sektorit prodhues nuk po sigurohet një perspektivë për gjeneratat e reja, rritet numri i të papunëve dhe rriten presionet dhe kërkesat për ikje nga vendi".

"Dhe nëse vazhdon kështu, kosovarët marrin para nga diaspora deri në 700 milionë euro në vit,dhe këto para po përcillen nga duart tona në tregjet tjera, prej nga furnizohet Kosova. E kjo kryesisht është Serbia dhe vende të Bashkimit Evropian”, shprehet Rexhepi.

Ndryshe, edhe në raportin e fundit të publikuar nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, ku flitet për regjistrimin dhe mbylljen e ndërmarrjeve, thuhet se gjatë pjesës se parë të këtij viti numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ishte 2,487 që është për 88 ndërmarrje më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Edhe gjatë kësaj periudhe kanë dominuar ndërmarrjet e regjistruara në tregti me 751 ndërmarrje të reja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG