Kriza politike dhe mungesa e nismave për dialog dhe zgjidhje mund të imponojë nevojën e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, vlerësojnë njohës të rrethanave politike.
Sipas tyre, zgjedhjet shumë shpejt mund të shihen si zgjidhje, qoftë për partitë e koalicionit qeverisës apo ato të opozitës, për shkak të mungesës së dialogut të ndërsjellë.
Idetë për zgjedhje të parakohshme po kundërshtohen tash për tash ashpër nga partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërsa opozita ka qëndrim të unifikuar për organizimin sa më të shpejtë të tyre.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri e ka shpjeguar edhe para përfaqësuesve të shoqërisë civile qëndrimin opozitar për zgjedhjet, duke besuar se vetëm përmes një procesi të tillë do të ndodhnin ndryshimet në Kosovë.
“Kemi një situatë ku është konstatuar që udhëheqësit e qeverisë së Kosovës, kryeministri dhe zëvendëskryeministri, të dy këta që kanë qenë udhëheqës edhe të dialogut me Serbinë dhe nënshkrimit të marrëveshjeve, e kanë rrezikuar dhe kanosur rendin kushtetues të vendit”.
“Si të tillë, këta tani po insistojnë të mbeten në pushtet dhe të vazhdojnë jetën e tyre në udhëheqje të qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë Ymeri.
Pretendimet e opozitës se përmes zgjedhjeve mund të sillen ndryshime, janë analizuar nga drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu.
Ai ka thënë se Kosovës i duhen ndryshime cilësore, çka sipas tij,nënkupton se rrëzimi i qeverisë nuk e sjell patjetër ndryshimin e kërkuar. Edhe nëse ka zgjedhje, Kryeziu thotë se ato duhet të jenë rezultat i dialogut ndërpartiak, në mënyrë që procesi zgjedhor të mos rezultojë me kaos.
“Çka nëse fiton e njëjta qeveri, çka do të bëjë opozita? Rrëzimi i qeverisë, me çdo kusht dhe në çdo formë, jo doemos sjellë ndryshimin. Ndryshimi nuk vjen vetëm me njërën anë të medaljes”.
“Roli i shoqërisë civile nuk duhet të bie në nivel ku bëhen pjesë e nënshkrimeve të parimeve me parti politike. Si organizatë, nuk do të përfshihemi në çfarëdo dokumenti eventual. Por, jemi të gatshëm të bisedojmë për tema dhe çështje të ndryshme”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkohë, analisti Dukagjin Gorani është pajtuar me opozitën që zgjedhjet mund të shihen si instrumenti i vetëm përmes së cilave mund të provohet të dilet nga kriza aktuale politike.
Por, edhe Gorani ka porositur partitë opozitare se ndryshimi për të cilin po flasin varet nga partia apo koalicioni që i fiton ato.
“Zgjedhjet dhe insistimi në zgjedhje mendoj që ka mbetur tani instrumenti apo ‘valuta’ e vetme me të cilën mund të operohet në atë skenën ndër partiake, qoftë si kërkesë apo edhe si insistim. Mirëpo nuk janë olimpiadë edhe në to nuk është me rëndësi vetëm të marrësh pjesë. Zgjedhjet duhet t’i fitosh”, ka theksuar Gorani.
Në diskutimet tjera, analisti Imer Mushkolaj ka thënë se një pjesë e shoqërisë civile tashmë ka vlerësimet e veta se janë për organizimin e zgjedhjeve, në mënyrë që kriza të mos thellohet tutje.
Kërkesave të opozitës dhe mbështetësve të ideve për zgjedhje të parakohshme, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësi i parë i tij, Hashim Thaçi, u janë përgjigjur këto ditë në disa raste me qëndrime të prera se zgjedhjet do të mbahen sipas mandatit kushtetues më 2018.