Ndërlidhjet

Ashpërsohet fjalori politik qeveri - opozitë


Pamje nga protesta e opozitës në Kosovë, më 28.11.2015
Pamje nga protesta e opozitës në Kosovë, më 28.11.2015

Tri partitë opozitare në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa dhe shkarkimin e qeverisë që ai drejton. Për këtë qëllim, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma kanë paralajmëruar organizimin e protestave, nisur nga ajo që është thirrur për të shtunën, më 9 janar, në Prishtinë.

Sipas opozitës, aktgjykimi i shpallur i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe, ku mes tjerash thuhet se disa parime të saj nuk janë në harmoni me Kushtetutën, është një arsye e mjaftueshme që kjo qeveri të jap dorëheqje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë dhe dy figurave kryesore të koalicionit qeverisës, Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

"Thaçi dhe Mustafa do të detyrohen të japin dorëheqje nëse këtë ata nuk e bëjnë vet. Kjo do të bëhet me protesta dhe demonstrata gjithë-popullore derisa ata të obligohen që ta bëjnë një gjë të tillë", ka thënë Ymeri.

Krahas kundërshtimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe, opozita vazhdon të kërkojë edhe anulimin e marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se shkelja e kushtetutës dhe marrëveshjet, siç i quan ai të dëmshme, janë arsye të mjaftueshme që të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

"Të protestohet dhe kërkohet llogaridhënie prej atyre që kanë shkelur kushtetutën. Të kërkohet dorëheqja e atyre që shkelën Kushtetutën", ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë, kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj ka thënë se opozita po angazhohet që përmes largimit të kësaj qeverie ta pengojë krijimin e një precedenti, sipas të cilit, edhe nëse e shkel kushtetutën mund të qeverisësh me vendin.

"Nëse ata nuk janë të gatshëm si qeveri të japin llogari për shkeljen e kushtetutës dhe refuzojnë ta bëjnë këtë gjë, atëherë edhe ne si qytetarë duhet të refuzojmë të na qeverisin shkelësit e kushtetutës", ka theksuar Limaj.

Pas paralajmërimeve të opozitës për protesta me kërkesën për rrëzimin e qeverisë, kanë reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësi i parë i tij, Hashim Thaçi.

Komentet për zhvillimet e fundit ata i bënë gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, e cila u mbajt në orët e pasdites së ditës së premte.

Kryeministri Mustafa tha se nuk sheh arsye që opozita të protestojë. Por, edhe nëse protestohet, ai ka ftuar opozitarët që të përmbahen nga aktet e dhunshme.

“Zgjidhjet t`i bëjmë brenda institucioneve përmes dialogut politik”, ka thënë Mustafa, duke iu referuar kërkesave të opozitës. Njëherësh ai ka bërë me dije se organet e rendit do të kryejnë punën e tyre.

Ndërkaq zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova është në pritje të rekomandimit të Brukselit për liberalizimin e vizave, si dhe po mundohet që ta formojë ushtrinë e saj, në kohën kur po ballafaqohet me thirrjet e opozitës për protesta të dhunshme.

“Kjo po na pengon për këto gjëra. Se kush e udhëheqë Kosovën, vendosin qytetarët ,e jo tre, katër individë apo tre, katër liderë”, ka theksuar Thaçi. Sipas tij, qëllimi kryesor i opozitës mbetet marrja e pushtetit me dhunë.

"Opozita po e rrezikon krejt procesin e shtetit, por ne besojmë në qytetarët tanë. Zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018 dhe pikë", ka theksuar Thaçi.

Ndërkaq, nga aspekti i sigurisë, praktikat e deritashme kanë dëshmuar që protestat e opozitës në disa raste kanë përfunduar me dhunë dhe përplasje me policinë e Kosovës.

Sipas një komunikate të lëshuar nga policia thuhet se organet e rendit i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke rritur edhe masat e sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike para, gjatë dhe pas protestës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG